Kryeministri britanik, David Cameron deklaroi se komuniteti ndërkombëtar duhet të bëjë përpjekje më të mëdha për të vendosur një qeveri tranzicioni që do t’i jepte fund luftës civile në Siri.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me presidentin rus, Vladimir Putin në qytetin e Soçit në Rusi, dy liderët ndanë qendrime të ndryshme sa i përket rrugëve për dhënien fund të konfliktit.
Cameron pranoi qendrimet e ndryshme mes Moskës dhe Londrës sa i përket këtij fakti, por vlerësoi se të dyja palët shtrojnë nevojën e menjëherëshme për ndalimin e dhunës për të parandaluar rritjen e ekstremizmit dhe fragmentarizmit në Siri.
Për herë të parë, kryeministri britanik hodhi idenë që të dyja palët në konfliktin sirian t’i hapin rrugën një qeverie tranzitore që do të mirëpërfaqësonte të gjitha grupet e shoqërisë në Siri.
Nga ana e tij, presidenti rus deklaroi se dy vendet kanë interes të përbashkët stabilitetin në rajon.
Kryeministri britanik u prit nga Putin në rezidencën verore të tij në qytetin e Soçit në brigjet e Detit të Zi. Cameron ndodhet në Rusi pas vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry. Edhe gjatë vizitës së kryediplomatit amerikan, kryefjala e bisedimeve ishte konflikti sirian.
Irani mirëpret konferencën për Sirinë
Irani ka mirëpritur propozimin ruso-amerikan për mbajtjen e një konferene për konfliktin sirian. Zv.presidenti iranian, Mohamad Javad Moamadzadeh deklaroi se Teherani mirëpret një ide të tillë dhe se është i interesuar të marrë pjesë.
Në një intervistë dhënë për agjencinë e lajmeve Reuters, dhënë nga Gjeneva në Zvicër zv.presidenti i Republikës Islamike propozoi që konferenca të mbahet pikërisht në këtë qytet. Ai shtoi se Irani do të ishte i lumtur nëse do të ftohej të merrte pjesë në këtë konferencë, për të qenë pjesë e procesit të paqes.
Teherani është njëri nga aleatët më besnikë të regjimit të presidentit Bashar al-Assad dhe shpesh është akuzuar nga Shtetet e Bashkuara dhe vendet e tjera të perëndimore për ndihmë logjistike dhe njerëzore për të mbajtur në këmbë presidentin sirian.
Top Channel