Shkupi po thellon bashkëpunimin me Beogradin. Në Parlamentin e Maqedonisë ka kaluar fazën e parë proçedura për ratifikimin e Marrëveshjes së firmosur muaj më parë mes qeverisë serbe dhe asaj maqedonase, për bashkëpunim në kuadër të proçesit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kjo marrëveshje pritet të hyjë fuqi menjëherë pas ratifikimit nga parlemntet e dy vendeve.

“Marrëveshja parashikon bashkëpunim në harmonizimin e dispozitave në pjesën e tregtisë së lirë dhe sistemeve doganore. Në të parashikohet edhe bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes, në atë të drejtësisë dhe punëve të brendshme, posaçërisht në pjesën e azilit, emigracionit, tregtisë dhe regjimit te vizave”, ka deklaruar Goran Stevçevski, këshilltar në Ministrinë e Jashtme.

Marrëveshje të tillë Maqedonia nuk ka me shumicën e vendeve fqinje, si me Shqipërinë, Kosovën apo Greqinë. “A kemi edhe me shtetet tjera të rajonit marrëveshje të tilla?”, e ka pyetur zyrtarin e MPJ deputeti i BDI-së, Harulla Misini.

“Një marrëveshje të tillë kemi edhe me Bullgarinë. Në kuadër të integrimit europian me këtë pakt sigurohet mbështetje nga Bullgaria si vend anëtar i BE-së, kurse në proçes është arritja e marrëveshjeve të ngjashme edhe me vendet e tjera të rajonit”, është përgjigjur Stevçevski.

Thuajse të gjitha nismat në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Maqedonia në të kaluarën i ka zbatuar fillimisht me Serbinë. Qëndrimi i këtillë i pushtetit maqedonas nga opozita shqiptare është parë si provokim për shqiptarët.

Në këtë drejtim, reagimet më të ashpra të opozitës janë bërë gjatë ratifikimit të marrëveshjes për bashkëpunim ndërpolicor dhe pas paralajmërimeve për një mbledhje të përbashkët në Beograd mes qeverisë serbe dhe asaj maqedonase, që pritet të mbahet këtë muaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA