Një shtetas tunizian, i dyshuar se po planifikonte një sulm terrorist në shkallë të gjerë, u arrestua në orët e para të mëngjesit të së premtes (me orën shqiptare) nga autoritetet amerikane.
Sipas dyshimeve, Ahmed Abassi ishte një prej klerikëve që ndihmoi në radikalizimin e një të dyshuari tjetër si terrorist, i ndaluar në Kanada përpara se të zbatonte një plan për vendosjen e disa bombave në hekurudhat e vendit.
Në komunikimin e arrestimit, të realizuar në Nju Jork, FBI nuk përcaktoi një akuzë konkrete, por u mjaftua duke thënë se ka prova të qarta se i dyshuari po përpiqej të realizonte sulme terroriste në tokën amerikane.
”Ahmed Abbasi kishte një qëllim djallëzor për qëndrimin e tij në SHBA, dëshirën për të zhvilluar një rrjet terrorist e për të goditur vendin. Ai synonte të shndërronte SHBA-në si një bazë mbështetje për veprimtaritë terroriste nëpër botë”, deklaroi Pret Bharara, prokurori i çështjes.
Më parë gjatë prillit, SHBA u trondit nga dy shpërthime në maratonën e Bostonit, një vepër terroriste e dy vëllezërve çeçenë, njëri i vrarë në përpjekje me policinë dhe tjetri i arrestuar.
Si rrjedhojë e këtyre shpërthimeve, tre persona mbetën të vrarë e 170 të tjerë u plagosën.
Top Channel