Rreziku që vjen nga Siria

10/05/2013 01:20

Në kohën kur vëmendja e gjithë botës ishte përqendruar te sulmet e Bostonit dhe Korea e Veriut, konflikti në Siri hyri në një fazë të re, një fazë që kërcënon të zhysë në kaos fqinjët e saj e të kthehet në një sfidë shumë më komplekse për administratën Obama.

Ajo që nisi si lëvizje-protestë dy vjet më parë, u shndërrua në një revoltë që hodhi degë e u bë luftë, një vorbull uji që tërheq një rajon të tërë pas vetes.

Shumë analistë besojnë se Shtetet e Bashkuara pak mund të bëjnë që të influencojnë, e jo më pastaj ta kontrollojne situatën.

Gjërat mund të shkojnë edhe më keq. Fawaz Gerges i “London School of Economics” është kundër ndërhyrjes së Amerikës në ato që i quan “fushat vrastare të Sirisë”, sepse kjo do ta komplikonte e acaronte akoma më shumë një konflikt, edhe kështu tepër të rrezikshëm.

Të tjerë argumentojnë se po qëndroi Washington-i mënjanë, aktorët rajonalë do të hahen me njëri-tjetrin se kush do të trashëgojë Sirinë dhe shtete armiqësore, si Irani apo Korea e Veriut, nuk do të ngurrojnë ta kthejnë në kapital hezitimin e Amerikës.

Mosveprimi, për këta zëra, i ka lejuar që tani forcat ekstremiste të sundojnë të lira. Aq më tepër tani, në vazhdën e sulmeve kundër Damaskut, vepër në dukje e avionëve izraelitë, Bashar al-Assad është, sipas tyre, më i dobësuar se kurrë dhe ndërhyrja amerikane do të ndihmojë t’i jepet fund sundimit të tij një herë e mirë.

Senatori republikan, John McCain i ripërtëriu thirrjet për një zonë të ndalim-fluturimit. I të njëjtës linjë ishte dhe demokrati Robert Menendez, që tha para senatit se nuk do të kishte frenim më të madh strategjik për Iranin, sesa kolapsi i regjimit në Siri dhe goditja e tubacionit të terrorit mes Teheranit dhe Hezbollahut në Liban.

2 vjet nga fillimi i revoltës, Siria rrezikon sot të shndërrohet në Somalinë e radhës, që u nda 20 vjet më parë në çifligje e që atëherë është pllakosur nga anarkia, terrorizmi e uria.

Vetëm se me Sirinë gjërat mund të shkojnë edhe më keq, thonë ekspertët. Linjat e saj etnike dhe fetare shtrihen përtej kufijve, në të gjitha drejtimet; Somalia nuk kishte as armë kimike, as raketa, e as mjetet e blinduara moderne, që përbëjnë njërin prej arsenaleve më të mëdha në botë.

Ndryshe nga Siria, Somalia kurrë nuk ishte qendra e një beteje titanike mes dy degëve të ndryshme të islamit: sunite dhe shiite. E me një “background” të tillë, lufta në këtë vend, papritur duket shumë më e rrezikshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA