Pakistan, mbyllet fushata zgjedhore

10/05/2013 04:10

Fushata zgjedhore në Pakistan, përpara zgjedhjeve të përgjithshme të ditës së diel, ka përfunduar, ndërkohë që kandidatët mbajtën mitingjet përmbyllëse.

Zgjedhjet do të shënojnë të parin tranzicion pushtetesh në vend nga një qeveri civile te një tjetër, në gjithë historinë 66-vjeçare të vendit.

Gjithsesi, përgatitjet për zgjedhje janë penguar nga dhuna, pas të cilës më shumë se 100 persona kanë vdekur. Të enjten, djali i ish-kryeministrit, Yusuf Raza Gilani, u mor peng gjatë një mitingu elektoral.

Ali Haider, një kandidat për partinë Popullore të Pakistanit (PPP), u mor peng në qytetin qendror të Multan-it, tha ish-kryeministri Gilani. Fundi i fushatës u karakterizua nga lutjet emocionale të disa prej kandidatëve.
 
Nawaz Sharif, i cili udhëheq partinë opozitare “Liga Muslimane Pakistaneze N” (PML-N) dhe që parashikohet të jetë kryeministri i ardhshëm i Pakistanit, bëri një lutje pasionante ndaj turmës në Lahore, vetëm pak minuta nga mesnata.

“Nëse na jepni 5 vjet, do të shikoni se ne mund të ndryshojmë fatin e këtij vendi”, tha ai. Ai akuzoi kundërshtarët e tij se kanë shitur nderin e kombit dhe u zotua se partia e tij do të jetë ndryshe.

Ish-lojtari ndërkombëtar i ckicket-it, Imran Khan, lider i partisë “Lëvizja për Drejtësi”, iu drejtua mbështetësve në kryeqytetin Islamabad me anë të një video-konference nga krevati në spital.

Ai ishte plagosur pasi kishte rënë nga një ashensor i improvizuar në një miting elektoral, më herët gjatë kësaj jave. “Zoti nuk do të më marrë nga kjo botë, pa u ndërtuar Pakistani i ri”, tha ai.

Në periferi të Islamabad-it, mbështetës të PPP-së mbajtën gjithashtu një miting të madh. Lideri i partisë, Bilawal Zardari Bhutto, djali i kryeministres së vrarë, Benazir Bhutto, dhe presidentit aktual, Asif Ali Zardari, iu drejtua mbështetësve gjithashtu përmes një video-konference.

“Benazir dha jetën e saj për këtë komb, për këtë vend, për njerëzit dhe demokracinë, si dhe për përfundimin e kësaj beteje”, tha ai. “Ndërsa babai im, presidenti i Pakistanit, Asif Ali Zardari, i cili ka kaluar 10 vite në burg, ka thënë gjithmonë se duhet të vendosim Pakistanin para gjithçkaje. Tashmë është detyra jonë të përmbushim këtë premtim”.

PPP-ja, së bashku me Lëvizjen Quami Muttahida (MQM) dhe Partinë Kombëtare Aëami (ANP), kanë qenë objektiva të sulmeve nga talebanët. Kërcënimet e dhunshme kanë detyruar këto 3 parti të kufizojnë në maksimum eventet para zgjedhjeve.

Dhjetra mijëra ushtarë do të vendosen nëpër qendrat e votimit të shtunën, pasi talebanët kanë kërcënuar për akte vetëvrasëse. Sondazhet theksojnë se do të jetë një pjesëmarrje rekord, më shumë se 44% që ishte në zgjedhjet e 2008-s.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA