I ndodhur në burg pas akuzave për pengmarrje dhe përdhunim, pasi kishte mbajtur peng për gati një dekadë disa gra, Ariel Castro mund të përballet gjithashtu edhe me akuzat e vrasjes në fund të shtatzanive të robëreshave të tij, bëri të ditur një hetues.
Prokurori Timothy McGinty nga qyteti Cuyahoga në Ohio, citoi ligjet e Ohio-s që theksonin se një person mund të akuzohet për vrasje të rënda për vdekjen e fëmijëve të palindur. Një dënim mbi këto akuza mund të çojë deri te ndëshkimi me vdekje.
Sipas një raporti mbi një incident fillestar, të marrë nga CNN, një nga gratë e marra peng tha se mbeti shtatzënë të paktën 5 herë, gjatë kohës që qëndronte në shtëpinë prej 37 metrash katrorë të Castro-s. Kur mësonte mbi shtatzaninë e saj, tha Michelle Knight për hetuesit, Castro “e keqtrajtonte atë për të paktën 2 javë, më pas e godiste vazhdimisht në stomak, deri sa ajo dështonte”.
Nuk dihet se sa herë, nëse ka ndodhur, kanë mbetur shtatzëna apo kanë dështuar dy gratë e tjera. Njëra prej tyre, Amanda Berry, kishte lindur një vajzë gjatë periudhës së pengmarrjes.
Përveç akuzës për vrasje të rëndë, McGinty u zotua të akuzonte “për çdo akt të dhunshëm seksual, përdhunim, çdo ditë pengmarrjeje, çdo sulm kriminal dhe për të gjitha përpjekjet e tij për vrasje”.
Top Channel