Mbretëria e Bashkuar ka tërhequr një pjesë të stafit të saj diplomatik në Libi, si përgjigje ndaj destabilitetit politik në këtë vend.
Lajmin e ka bërë të ditur Foreign Office, sipas të cilës fillimisht është tërhequr një numër i vogël që punon me ministritë libiane.
Milicitë e armatosura së fundmi kanë bllokuar aksesin tek ndërtesat e ministrive, në përpjekje që të pranohen kërkesat e tyre politike.
Megjithatë, ambasada britanike do të mbetet e hapur si zakonisht, duke ofruar shërbimet konsullore dhe ato për vizat, ka bërë të ditur Foreign Office.
Muajin e kaluar një autobombë shpërtheu jashtë selisë së ambasadës franceze në Tripoli, duke plagosur dy roje franceze dhe banorët e ndërtesave përreth.
Ky ishte sulmi i parë madhor ndaj një ambasade të huaj në kryeqytetin libian.
Aktualisht Foreign Office këshillon shmangien e udhëtimeve, përveç rasteve kur bëhet fjalë për udhëtime të rëndësishme, në zonat jashtë kryeqytetit të Libisë, sidomos në Bengazi.
Konsullata amerikane në Bengazi u sulmua nga persona të armatosur në shtator të vitit 2012, sulm që çoi në vrasjen e ambasadorit Christopher Stevens dhe tre shtetasve amerikanë.
Javën e kaluar FBI publikoi fotot e tre personave që sipas saj ishin pranë konsullatës në Bengazi kur ajo u sulmua vitin e kaluar.
Top Channel