Shefi i ekipit serb për zbatimin marrëveshjes së Brukselit, Marko Gjuriq ka deklaruar se Serbia nuk do të lejojë që marrëveshja, për shkak të interpretimeve të ndryshme, të bëhet e pavolitshme për interesat e popullit serb.

”Situata është e tillë që të dyja palët, tani për tani, interpretojnë në mënyra të ndryshme esencën e disa dispozitave të marrëveshjes”, ka thënë Gjuriç për gazetën serbe “Politika”.

Ai ka theksuar se, ekipi i Prishtinës është shumë përjashtues në qëndrimet dhe pikëpamjet e veta dhe ka saktësuar se përplasjet konsistojnë në mënyrën e formimit të bashkësisë së komunave serbe dhe në konceptin e integrimit në sektorin sigurisë dhe gjyqësorit.

“Për zgjedhjen e prokurorëve dhe gjykatësve serbë, marrëveshja flet për integrimin institucioneve ekzistuese dhe jo për konkurse sipas të cilave Prishtina do të vendoste për përshtatshmërinë e të zgjedhurve serbë”, ka thënë Gjuriç.

Këshilltari i presidentit Tomisllav Nikoliç ka shtuar më tej se, gjatë takimit të fundit janë kërkuar bisedime edhe për ”çështjen e pasurisë së Serbisë në Kosovë”.

Megjithatë, një ditë më parë kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç u shpreh optimist se plani për zbatimin e marrëveshjes së arritur me Kosovën do të miratohet së shpejti, sipas tij brenda 7 ose 10 ditësh.

Në një intervistë për gazetën “Veçernje Novosti”, Daçiç tha me bindje se në gjysmën e dytë të qershorit Serbia do të nisë bisedimet për anëtarësimin në BE.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA