Kriza financiare e qeverisë dhe rritja e borxhit po godet fort investimet publike të buxhetit.
Banka e Shqipërisë vëren se vitin e kaluar investimet u shkurtuan 17,6 herë më shumë se shpenzimet e përgjithshme të qeverisë.
Nëse në total shpenzimet e buxhetit u ulën me 0,8 për qind, ato për investime ranë me 14,1 për qind, krahasuar me një vit më parë.
Shifrat tregojnë se, që prej tre vitesh, shkurtimi i investimeve është shndërruar në mjetin e vetëm, me të cilin qeveria po përpiqet të mbajë nën kontroll financat publike.
Për shkak të kësaj politike, vitin e kaluar investimet ranë në 61 miliardë lekë, që është niveli më i ulët, që nga 2007-a.
Madje, të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se tendenca ka vazhduar edhe këtë vit. Në tre muajt e parë, shpenzimet kapitale ishin 10 për qind më të ulëta, krahasuar me tremujorin e 2011-s.
Kjo është hera e parë në historinë e buxhetit, kur investimet bien në një vit elektoral. Në të kaluarën, gjithmonë qeveria i ka rritur shpenzimet për investime para zgjedhjeve, për të përfituar politikisht.
Për ekspertët, i vetëm ky fakt dëshmon gjëndjen e rëndë ku janë financat publike. Investimet janë zëri i vetëm produktiv i shpenzimeve që bën qeveria. Ato nxisin rritjen ekonomike, krijojnë punësim dhe përmirësojnë infrastrukturën.
Por, buxheti i tyre po gërryhet me ritme të shpejta, jo vetëm për shkak të rënies së të ardhurave, por edhe nga rritja e detyrueshme e shpenzimeve të tjera, veçanërisht pensioneve.
Për këtë arsye, në kuadrin e fundit makroekonomik, qeveria ka përcaktuar se, që nga viti i ardhshëm, shpenzimet për investime do të bien në nivelin 4 për qind të prodhimit kombëtar.
Top Channel