Bangladesh, shembja e godinës, mbi 1 mijë viktima

10/05/2013 09:00

Bilanci i viktimave të shembjes së një ndërtese në Bangladesh kaloi 1 mijë viktima, informuan të premten autoritetet vendase.

Shembja e ndërmarrjes 8-katëshe të prodhimit të veshjeve, si rrjedhojë e punimeve të dobëta dhe ndërtimit pa kriter të kateve shtesë në kryeqytetin Dhaka, gjithashtu ka shkaktuar 2 500 të plagosur.

Bilanci i fatkeqësisë së ndodhur në 24 prill, për fat të keq nuk është ende përfundimtar, ndërsa forcat e shpëtimit vazhdojnë të gjejnë viktima në rënoja.

Shtypi vendas, ndërkohë, ka nisur një “kryqëzatë” edhe kundër forcave të shpëtimit, sepse gjithmonë e më shumë viktima po gjenden me trupa të paprekur mes inerteve, por të vdekur si pasojë e mungesës së ujit e ushqimeve, pas vonesës së regjistuar në shpëtimin e tyre.

Ditën e enjte, mediat ndërkombëtare transmetuan edhe imazhe prekëse, të një çifti bashkëshortësh, punëtorët të ndërmarrjes, që kishin pritur së bashku vdekjen të përqafuar në gërmadhat e ish-fabrikës.

Deri tani, nëntë persona, mes të cilëve pronari i ndërtesës, janë arrestuar, në lidhje me akuzat e ngritura për neglizhencë dhe vrasje e shumëfishtë nga pakujdesia.

Ndër incidentet e ngjashme më fatale të kohëve moderne, me përjashtim të sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork, ka qenë ai i godinës Sampoong në Seul të Koresë së Jugut në vitin 1995, ku 502 persona humbën jetën.

Bangladeshi ka një ndër industritë e veshjeve më të mëdha në botë dhe shumë prej rrobave të prodhuara në ndërtesë ishin bërë për shitësit Perëndimorë.

Ndërkohë, Bashkimi Europian ka deklaruar se po konsideron seriozisht ndërmarrjen e një aksioni për të inkurajuar përmirësimin e kushteve të punës në fabrikat e vendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA