I dyshuari i sulmit me bomba Tamerlan Tsarnaev kishte patur pikëpamje ekstremiste kur kishte vizituar Rusinë.
Besimtarë myslimanë në Dagestan i thanë medias amerikane se ishin përpjekur për ta bindur të riun që të mos shndërrohej në militant islamik.
29-vjeçari Zaur Zakariajev, pjesëtar i organizatës salafiste Bashkimi i së Drejtës, i tregoi “New York Times” për pikëmapjet xhihadiste të Tamerlan.
Tsarnaev, që u vra në Boston, u varros në mënyrë sekrete të enjten në Virxhinia, pas protestave që u organizuan jashtë shtëpisë së tij në Masaçusets.
Ai dhe i vëllai 19-vjeçar, Dzhokhar Tsarnaev, janë të dyshuarit kryesorë të sulmit me bomba në Boston ku u vranë 3 persona dhe u plagosën mbi 260 të tjerë.
Dy vëllezërit dyshohen gjithashtu se kanë qëlluar për vdekje një oficer policie dhe se kanë plagosur një tjetër, por natyrisht që akuzat do të rëndojnë mbi të mbijetuarin.
Familja e tyre është me etni çeçene myslimane dhe jetonte në emigracion në Shtetet e Bashkuara prej një dekade. Gjatë këtyre viteve, Tamerlan ishte tërhequr nga islamizmi radikal.
Bashkëshortja e tij Katherine Russell refuzoi të merrte trupin nga morgu i policisë, duke u lënë familjarëve të drejtën për tërheqjen e tij dhe organizimin e varrimit.
Top Channel