Serie A, situata kur mbeten 180’ lojë

09/05/2013 00:00

Kur kanë mbetur edhe 180 minuta nga fundi, kampionati italian ka dhënë deri tani vetëm 3 verdikte përfundimtare.

Juventus është kampion i Italisë, që prej së dielës së kaluar, Napoli ka arritur të sigurojë vendin e dytë matematikisht e rrjedhimisht edhe kalimin direkt në fazën me grupe të Champions-it, dhe Pescara ka rënë përfundimisht në Serie B.

Sa i përket të tjerëve, gjithçka është e hapur, me Palermon e Sienën të rrezikuara, ndërsa të mëdhenjtë duke luftuar për vendet e Europës. Ja kuadri i situatës në Itali, 2 javë nga fundi i sezonit.

Titulli: Juventus

Champions (grupe): Juventus dhe Napoli

Champions (play-off): Milan, në vendin e tretë, ruan distancën prej 4 pikësh nga Fiorentina. Me një fitore në 2 javët e ardhshme siguron edhe matematikisht këtë pozicion. Ndeshja e parë decizive do të jetë të dielën, në “San Siro”, kundër Romës, ndërsa në javën e fundit kuqezinjtë udhëtojnë drejt Sienës, kundër një skuadre që, me shumë mundësi, është tashmë e rënë në Serie B. Kalendari i Fiorentinës sheh dy sfida kundër Palermos, në shtëpi, dhe Pescara-s, në transfertë.

Liga e Europës: Për Fiorentinën mungon vetëm 1 pikë për të qenë matematikisht në Ligën e Europës. Pas shpinës së saj është ngjitur Udinese që, me 60 pikë të grumbulluara, ka 2 më shumë se Roma e Lazio, të cilat mund të sigurojnë kalimin në Europa League edhe përmes Kupës së Italisë, kur të luajnë në finale. Ja dhe kalendari i këtyre ekipeve:

Fiorentina (64): Palermo (b), Pescara (j)
Udinese (60): Atalanta (b), Inter (j)
Roma (58): Milan (j), Napoli (b)
Lazio (58): Sampdoria (b), Cagliari (j).

Rënia në Serie B: Katër janë ekipet, që luftojnë për dy vende në elitën e futbollit italian, teksa Torino e Genoa duken pothuajse të shpëtuara, rrjedhimisht Palermo e Siena më të rrezikuara. Siena ka vetëm një shpresë të vetme: duhet të fitojë të dyja ndeshjet e mbetura dhe të shpresojë që Genoa të humbasë të dyja ndeshjet e saj, ashtu si dhe Palermo të mos grumbullojë 3 pikë në këto 2 takime. Me dy barazime, Palermo mund të jetë me pikë të barabarta dhe do të shpëtonte, për shkak të golavarazhit në përballjet direkte. Ja kalendari për mbijetesën:

Torino (37): Chievo (j), Catania (b)
Genoa (36): Inter (b), Bologna (j)
Palermo (32): Fiorentina (j), Parma (b)
Siena (30): Napoli (j), Milan (b).

Sa i përket ndeshjeve të mesjavës, Napoli mposhti 3-0 Bologna-n në transfertë dhe festoi zyrtarisht pjesëmarrjen në Champions, vitin e ardhshëm. Golat për napolitanët u shënuan nga Hamsik, Cavani me penallti dhe Dzemaili. Mazzarri uroi të gjithë futbollistët për këtë arritje.

Ndeshje me probleme ajo në Bergamo, mes Atalanta-s dhe Juventus, që u ndërpre në minutën e 28-të për trazirat e shpërthyera pas portës së Storari-t. Dy tifozeritë hodhën sende të ndaluara, duke pezulluar ndeshjen. Antonio Conte dhe futbollistët ndërhynë për qetësi dhe ndeshja nisi 8 minuta më vonë. Ndeshja përfundoi 0-1 me gol të Matrit.

Për Interin nuk ndalen rezultatet negative, as në shtëpi kundër Lazio-s, që marrin një fitore 3-1 duke shpresuar për Europën. Shënojnë Handanovic, autogol, Hernanes, penallti, dhe Onazi për Lazio-n. Ndërsa për Interin Alvarez barazon përkohësisht dhe humbet një penallti kur rezultati ishte 1-2.

Fitore edhe për Parmën, 1-0 ndaj Cagliari-t, Udinese-n, 2-3 ndaj Palermos, dhe Fiorentinës, 0-1 me Sienën. Në barazim pa gola përfundon Torino-Genoa, kurse Sampdoria-Catania mbyllet me rezultatin 1-1.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA