Mustafa, nuk besoj se po prisje listat e ëngjëjve?

09/05/2013 00:00

Andrea Stefani – Ndryshe nga kolegu i respektuar dhe miku im, Mustafa
Nano, nuk kam pasur ndonjë kureshtje bajagi të madhe për listat e
deputetëve. Ndoshta ngaqë përvoja e këtyre 20 e kusur viteve tranzicion,
më ka dhënë të kuptoj se cili është “koeficienti” i virtytit, vesit apo
mëkatit në klasën e parlamentarëve shqiptarë, koeficient që nuk besoj
se mund të ndryshojë me një palë zgjedhjeje.

Por, mbi të gjitha, nuk kam qenë kureshtar për listat sepse më shumë se te pushtetet, shumicat, parlamentet, qeveritë e “virtytshme”, besoj tek krijimi i një sistemi institucionesh që e detyron politikën të jetë e virtytshme. I shëndetshëm nuk është besimi mesianik te politika, por mosbesimi medisonian tek politikanët. Madje, sekreti i një politike të mirë publike, është të gjesh formulën sesi të kontrollohen politikanët dhe qeveritë, pushteti i tyre në mënyrë që të mos mbifuqizohen për t’u bërë të rrezikshëm për publikun. Prandaj nuk kam pritur me makth të qëmtoj listat e opozitës qoftë edhe me shpresën e mirë për të gjetur aty vetëm engjëj, apo qoftë dhe me merakun se mos nxjerr aty këtu kokën ndonjë djall.

***

Aktualisht ne kemi në fuqi një pushtet, një shtetar si Sali Berisha që është bërë i rrezikshëm pikërisht sepse ka arritur të pengojë krijimin e atyre institucioneve të së drejtës, të atij sistemi që do ta pengonte të bëhej kaq i rrezikshëm. Largimi i tij është konsiderata e të gjitha konsideratave opozitare! E megjithatë, ç’të keqe ka që krahas nevojës për largimin e Berishës, të flasim hapur edhe për ato që mund t’i vlerësojmë si cene, të meta, apo edhe embrione të disa të këqijave në listat e opozitës? Në parim asnjë të keqe. Por realisht, pra politikisht, nuk është aq pa pasoja. Dhe kjo lidhet kryesisht me virtuozitetin e lig të propagandës berishiste, për ta bërë tra qimen e kundërshtarit. Sot po shohim se si i ndodhur në deficit të theksuar arritjesh në qeverisje, Berisha po përpiqet ta zhvendosë fokusin në kampin kundërshtar. Jo rastësisht edhe njerëz të Berishës “pranojnë” se Berisha është i keq, por nxitojnë të shtojnë se edhe Rama nuk bie më poshtë. Një taktikë dinake që, në fund të ditës, kërkon të mbajë Berishën në pushtet sepse evidenton “kotësinë” e rotacionit. Sepse ç’kuptim ka të ndërrosh një të keqe me një të keqe tjetër? Madje, shtyhen më tej disa, ç’të mirë ka të ndërrosh një të keqe që po plaket, me një tjetër që është mjaft e re?

 

***

Jo rastësisht Berisha ka përqendruar gjithë sulmin kundër liderit të opozitës Rama. Kërkon të mbijetojë edhe një herë duke derdhur mbi Ramën ujin e ndyrë të kazanit të llafeve që hodhi dikur mbi Fatos Nanon. Jemi dëshmitarë sesi në proces është një hetim qesharak për shkulje veshi që, për nga gjakimi i qartë për të ndëshkuar liderin e opozitës, të ngjason jo vetëm me akuzat për magji kundër shtrigave në Mesjetë që Inkuizicioni ngrinte ndaj kundërshtarëve të tij, por edhe me sajesat e Hitlerit kundër opozitës, apo akuzat e gjykatave të Enverit ndaj kundërshtarëve të regjimit për propagandë kundër Atdheut. Sesa i etur është Berisha për përbaltjen e listave të opozitës, e tregon fakti që pa u tharë boja në shkrimin e Mustafa Nanos, ai anatemoi dje në Orikum “skandalin” e kandidimit të Koço Kokëdhimës në listat e PS. Jo pak gjëra të habitshme ka në këtë ndodhi. Së pari, Mustafa Nano në një gojë me autokratin Berisha? Mendoj që fakti ia kalon me elokuencën e tij, çdo kritike që mund t’i bëhet kritikës së Mustafait. Së dyti, a mund të besohet Berisha kur quan kandidimin e Kokëdhimës si moralisht të pafalshëm, ndërsa frika e humbjes së pushtetit dhe instinkti cezarian i përçarjes së opozitës, e bën që të fusë në listat e veta atë që e anatemonte “Kaçi i zi”, deri edhe gjithë renegatët e opozitës? Së treti, nuk di që Kokëdhima të ketë bërë ndonjë krim, në një kohë kur Berisha ka në listat e veta njerëz që kanë të paktën (vetë Berisha në radhë të parë), përgjegjësi morale për vrasjet në Gërdec dhe 21 janar. Berisha akuzon Kokëdhimën se ka fituar të gjithë tenderët e Bashkisë. Mustafai kritikon Ramën se e ka futur në listë Kokëdhimën nga që e ka mik. Lind kështu, pa dashje një silogjizëm sofist Nano (Mustafa jo Fatos)-Berisha, me konkluzionin se Kokëdhima i ka fituar të gjithë tenderët nga që ka mik Ramën. Ta zëmë se është kështu. Vërtet mund të shpresohet se korrupsioni me tenderët do të marrë fund kur deputetët e partisë në pushtet të mos jenë miq me liderin dhe me njëri-tjetrin? Kuptohet fare lehtë që jo. Nuk është miqësia që na çon në korrupsion por qëndrimi ynë ndaj ligjit dhe mbi të gjitha, qëndrimi i ligjit ndaj nesh. Kjo e fundit na kthen përsëri te rëndësia e sistemit, që i pavarësuar nga vullnetet politike, i detyron politikanë dhe qeveritarë të mos bëjnë dëm publik. Nëse jo Kokëdhima, në mungesë të sistemit që kontrollon dhe ndëshkon shkeljet në mekanizmin tenderues, vallë nuk do të dilnin miq të tjerë të pushtetit, të Ramës apo të kujtdo që do të qëndronte mbi ligjin?

 

***

Mustafa Nano gëzon simpatinë time si një polemizues i mprehtë, i guximshëm dhe një nga gazetarët më të sinqertë e me kontribut të rrallë, konstant dhe afatgjatë në luftimin e së keqes autokratike që po e mundon si një kancer Shqipërinë. Besoj është pikërisht ky sinqeritet, që e bën atë që qëmtojë si me lupë dhe të denoncojë edhe “qimen” në listat e opozitës. Por janë rrethanat e vrazhda politike ato që këtë skrupulozitet të admirueshëm gazetaresk dhe një gati revoltë në emër të pastërtisë morale përballë kalbëzimit të politikës, këtë përflakje pasionante për të vërtetën, këtë dëshirë për t’ia komunikuar merakun publikut, e klasifikojnë si një gabim taktik. Sepse është e keqja më e madhe (Berisha në pushtet) që do ta përdorë këtë kritikë për të luhatur mendjen e njerëzve dhe për të mbetur në pushtet. Dhe shpresoj që Mustafa Nanos të metat, të pritshme në fakt, në listën e opozitës të mos ia lëkundin besimin e gjithë këtyre viteve se largimi i Berishës, rotacioni (dhe jo thjesht ardhja e Edi Ramës në pushtet), janë një e mirë e madhe për Shqipërinë. Do të shpëtojë demokracia. Ndërsa fitorja e Berishës do krijonte mitin e pathyeshmërisë së tij, ndërrimi për të tretën herë i pushtetit, do konsolidojë rotacionin si veti e demokracisë përkundër traditës së pushteteve afatgjata që trashëgojmë, do të bëjë që të gjithë, fanatikë dhe kundërshtarë të një qeverie, të mësojnë se nuk ka më pushtete të përjetshme. Kjo do zbuste fanatizmin proqeveritar dhe paralel me të, do niste të perëndonte frika nga pushtetet pa mbarim, do niste të agonte guximi qytetar. Do rihapet opsioni i forcimit të institucioneve, i drejtësisë së pavarur, proces që, momentalisht, është bllokuar nga pushteti i korruptuar dhe autokratik berishian. Dhe ky është problemi kardinal që duhet të zgjidhim pas rotacionit: Si të bëjmë që, edhe nëse nuk do ketë vullnet të mjaftë nga qeveria tjetër, të forcohen pushtetet e pavarura, gjykatat e pavarura. Dhe nëse përsëri qeveria do përpiqet të na pengojë, do kemi si garant kundër saj rotacionin e pushteteve, guximin qytetar. Besoj do ta kishim shumë më të lehtë se me Berishën. Sepse sikundër thotë me të drejtë Mustafai në një prononcim të fundit tek “Dita”, Berisha është frymë, gjithë vjetërsia që trashëgojmë nga enverizmi, ndërsa Rama apo qoftë edhe Meta, janë persona që munden kollaj. Parisi e vlen një meshë! – tha Henri IV. Ai ishte mbret protestant dhe parizienët, në shumicë katolikë, nuk po njihnin autoritetin e tij. Henri IV i dha fund kësaj krize, duke u pagëzuar si katolik në një meshë të kryer në Paris. Opozitarët nuk janë engjëj. Opozita nuk është pa të meta. Rama nuk është pa të meta. Meta aq më pak nuk është pa të meta. E megjithatë ne duhet themi: Rotacioni ia vlen edhe ca të …meta!

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA