
Një raport i Inisiativës për Stabilitetin Europian (ESI), me seli në
Berlin, propozon “vijat e kuqe” për standardet e zgjedhjeve në Shqipëri.
Organizata i bën thirrje komunitetit ndërkombëtar të shprehet qartë për fatin europian të vendit, nëse standardet shkelen para dhe gjatë zgjedhjeve të qershorit, siç ka ndodhur me shumë procese zgjedhore në të kaluarën.
“Mesazhi kyç nga gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë, në veçanti nga Bashkimi Europian, duhet të jetë që të gjitha institucionet shqiptare duhet të respektojnë me rigorozitet ligjet që kanë miratuar ato vetë. Ka disa vija të kuqe që nuk mund të kapërcehen. Udhëheqësit shqiptarë duhet ta dinë se bota po vëzhgon. Deklarimi paraprak i këtyre vijave të kuqe e bën më të pamundur shkeljen e tyre: Së pari, anëtarët e administratës zgjedhore nuk mund të hiqen për arësye të papërcaktuara në Kodin Zgjedhor. Së dyti, numërimi, si dhe gjykimi i ankesave dhe apelimeve duhet bërë nëpërmjet vëzhgimit të rreptë të procedurave të Kodit Zgjedhor”, thuhet në raport.
Në raportin e saj, ESI analizon gjerë e gjatë historikun e zgjedhjeve problematike në vend, konfrontimet politike, dështimet e mbetjen pas në rrugën drejt BE-së, duke paralajmëruar që në fillim për rrezikun në rast të dështimit, edhe kësaj here, të standardeve të zgjedhjeve.
“Një gjë e tillë do të shkaktonte një krizë madhore politike në Shqipëri. Një tjetër rezultat do të ishte humbja e çdo perspektive të besueshme progresi drejt integrimit në Bashkimin Europian në të ardhmen e afërt, dhe një spirale rrënimi politik, social dhe ekonomik në Shqipëri”, thuhet më tej.
Në përfundimet e këtij raporti, zgjedhjet e qershorit vlerësohen si një test jo vetëm për demokracinë, por edhe për shtetin e së drejtës në Shqipëri. ESI i rekomandon BE-së ta bëjë shumë të qartë qëndrimin e saj që tani, në mënyrë që të shmangë përplasje më të forta në të ardhmen.
Pergatiti ARTA TOZAJ
Top Channel