
Kreu i FRD-së, Bamir Topi, ka mbledhur strukturat drejtuese të kësaj partie ku, teksa ka komentuar listën e kandidatëve për deputetë, si më cilësoren dhe që respekton 30 përqindëshin e përfshirjes së grave, u ka kërkuar atyre që tashmë të krijojnë shtabet elektorale.
Ndërkohë, Topi ka komentuar edhe kalimin e deputetëve, sa nga njëra forcë në tjetrën.
“Politika shqiptare, sot demostron edhe njëherë që është në një inertësi kaosi. Kemi parë që formacionet politike nuk janë më të strukturuara sipas programeve të tyre politike dhe filozofisë politike, aq sa një legjislaturë fillon ndryshe me një formacion dhe përfundon legjislaturën me lojtarë të marrë hua nga kampi i kundërshtarit politik. Dhe aq më keq, kur formacionet politike sot, sic e keni parë te partitë e tjera, ndërtohen jo në mënyrë të natyrshme, por mbi bazën e atyre interesave konjuktorale, që politika shqiptare e ka dëshmuar në mënyrë të qartë sidomos në skenën parlamentare”, tha Bamir Topi, kreu i FRD-së.
Topi pretendon sukses të sigurt, kryesisht në Tiranë. Nga ana tjetër, ai ka kritikuar dhe komisionin hetimor të ngritur në interes të sulmeve politike.
“Parlamenti nuk i ngre komisionet hetimore për të linçuar politikisht kundërshtarët, apo për të kaluar një situatë të caktuar, problematike për pushtetin. Por që komisionet hetimore të marrin funksionet e tyre, që të jenë komisione vërtetë, që të nxjerrin atë që nuk e nxjerr dot asnjë institucion tjetër. Dhe, në rast se ka shkelje të karakterit penal, t’ia çojë institucionit të Prokurorisë, në mënyrë që shteti ligjor të vazhdojë të veprojë jo i frikësuar nga politika, por politika duhet të jetë e frikësuar nga shteti dhe institucionet e veta”, deklaroi Bamir Topi.
FRD, tha Topi, është e vetmja parti, që ka një program të qartë dhe është një forcë politike e moderuar.
Top Channel