Aleanca Kuqezi ka prezantuar 13 kandidatët e saj për qarkun e Durrësit, duke çelur zyrtarisht edhe fushatën elektorale në këtë qark.

Kreu i AK-së, Kreshnik Spahiu, u shpreh se 40 ditët e fushatës do të shënojnë dhe të 40-at e regjimit të urryer të shtetasit Sali Berisha.

“Sot ne vijmë në Durrës për të filluar rrugëtimin 40-ditor dhe për t’i ndjellur të 40-at këtij pushteti, i cili ka vdekur politikisht. I ndjeri Berisha, tashmë nuk është i gjallë politikisht. Ai duhet t’i lërë radhën, shumë shpejt, një kuvendi dhe një qeverisje tërësisht patriotike dhe shqiptare”, tha Spahiu.

Spahiu tha se Aleanca Kuqezi do të mbyllë kazinotë dhe pikat e llotove, që kanë mbirë ngado nëpër Durrës.

Kandidati Lisen Bashkurti e përqendroi fjalën e tij në nota patriotizmi dhe ftoi ndërgjegjen qytetare të elektoratit durrsak e krutan, për të nxjerrë në pah vlerat dhe për të sjellë ndryshimin.

Takimi ka vijuar me prezantimin e kandidatëve të tjerë, të cilët u cilësuan si një ekip sfidant dhe me duar të pastra, përballë emrave të përbaltur, që përfaqësojnë PD-në dhe PS-në.

Top Channel