
Në prag të nisjes zyrtarisht të fushatës elektorale, kryeministri Berisha ka urdhëruar ndalimin e përdorimit të automjeteve publike, duke nisur nga vetë ai e deri te punonjësi më i thjeshtë i administratës.
Këtë urdhër, Berisha e publikoi gjatë mbledhjes së qeverisë, ku u shpreh entuziast se motorrët e ekonomisë së vendit do të vazhdojnë të punojnë me fuqi të plotë.
“Ora e fushatës zyrtare elektorale po afron. Unë e kuptoj se ai prapë do të deklarojë se po udhëton me helikopter, por unë prapë do të marr vendimin e prerë se kryeministri dhe asnjë ministër, por edhe asnjë qeveritar vendor apo zyrtar i administratës nuk do të përdorë dot mjetet publike për fushatë elektorale”, tha Berisha.
Mediat botërore informojnë, tha ai, se eksportet janë rritur me 17% këtë katër-mujor, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Po kështu, sipas tij, ka rënë edhe inflacioni. Berisha tha se për shkak të luftës ndaj korrupisonit dhe transparencës së plotë të administratës, Shqipëria është anëtarësuar në iniciativën e transparencës financiare të industrive nxjerrëse.
Berisha mbledh kryesinë e PD
“Të jetë fushata elektorale më e suksesshme”
Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur mbrëmjen e së mërkurës kryesinë e Partisë Demokratike, mbledhje gjatë të cilës në fokus ka qenë fushata elektorale.
Në fjalën e tij, Berisha ka ftuar deputetët demokratët që të organizojnë fushatën më qytetare, duke iu dhënë përparësi formave të komunikimit të saj.
“Ju ftoj të organizoni fushatën më qytetare. Ne duhet të mbrojmë çdo fushatë për format e komunikimit të saj. Të jetë kjo fushatë më bindësja, më besimtarja dhe më e suksesshmja. Deri tani nga opinioni fushata është pritur shumë mirë. Ajo çka është e vërtetë është se, në memorien time, kjo është më e mira se në çdo zgjedhje të tjera”, ka deklaruar Berisha.
Kreu i qeverisë ka nënvizuar se, në dallim nga çdo fushatë, këtë herë mazhoranca ka përpunuar programin elektoral, i cili sipas tij ka përparësi çështjet ekonomike.
“Qeveria ka votuar paketën e dytë fiskale më të rëndësishme dhe ka realizuar reforma të tjera. Programi për disa nga fushat e rëndësishme po punohet. Paketat tona fiskale janë si për zanatin, ashtu dhe për prodhimin. Por programi po laborohet dhe po shkohet drejt finalizimit të programit më kompleks”, ka thënë Berisha, duke shtuar se gjatë fushatës duhet të dominojë debati me qytetarët.
“Të predominojë debati me qytetarët. Mund t’ju them se prej më shumë se dy muajsh bëj diskutime të hapura me qytetarët, por duhet të ketë të tjera. Këtë do të bëni edhe ju, derë më derë e shkallë më shkallë”, është shprehur kryeministri, i cili më tej ka ironizuar edhe kandidaturat e PS për Vlorën.
“Nënkryetari i PS doli të ishte më shumë se kryetari. Nuk mund të harrojmë dhjetëra tenderat e fituara, gazetat që privatizoheshin pa marrë asnjë lek. Këto janë harruar. Por sot në Vlorë nuk ka qytetarë që t’i bindet”, ka thënë Berisha.
“Por me këta të mos merremi, ne të merremi me programin tonë, me argumentet tona dhe me problemet e qytetarëve. Fushata jonë do të jetë pozitive, do të jetë një fushatë e bazuar tek kreativiteti dhe fushata e vlerave”, ka vijuar ai.
Në fund të fjalës së tij, shefi i ekzekutivit ka theksuar se duhet të modifikohet Kodi Zgjedhor për koalicionet. “Është e padrejtë që Kodi ynë Zgjedhor përjashton partitë e vogla. Ishim ne që e përkrahëm këtë kod, por ai duhet ndryshuar”, ka shtuar kryeministri.
Berisha: Investime transparente në infrastrukturë
Më herët, gjatë orëve të pasdites, kryeministri Berisha mblodhi kabinetin e tij, duke u fokusuar tek investimet në infrastrukturë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e vuri theksin tek kredia e ofruar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, e cila sipas tij është me leverdi dhe do të aplikohet me transparencë të plotë.
“Kredia e Emirateve të Bashkuara Arabe, 64 milionë dollarë, është shumë me leverdi. Kjo kredi e butë do shfrytëzohet për ndërtimin e bulevardit të Tiranës. Standarti i transparencës është parimi kryesor i projekteve të qeverisë”, deklaroi Berisha.
Më tej, duke u fokusuar tek situata ekonomike, kryeministri vlerësoi se ajo ka bërë progres në muajt e fundit, duke shtuar se reformat e qeverisë së tij nuk janë të karakterit elektoral.
“Mediat e huaja shkruajnë se Shqipëria ka pasur progres ekonomik në tre muajt e fundit. Dua të theksoj se rritja e rrogave dhe pensioneve nuk bëhet për qëllime elektorale”, shtoi Berisha.
Top Channel