Real Madrid e Alexander Arnold kujtojnë Diogo Jotën, homazh për portugezin në Anfield
Sir Alex Ferguson nuk do të jetë trajner i Manchester United vitin e ardhshëm. Trajneri skocez ka vendosur të tërhiqet në fund të këtij sezoni pas 26 vitesh drejtim të “Djajve të Kuq”.
71-vjeçari i jep fund karrierës me United të cilit i dhuroi plot 38 trofe, mes të cilavë 13 tituj kampionë të Anglisë, dy Liga Kampionesh në Europë, pesë kupa FA dhe katër Kupa Lige.
“Vendimi për t’u tërhequr është marrë tashmë dhe mendoj se është koha e duhur që të bëj menjanë”, deklaroi Sir Alex për mediat britanike.
Megjithatë, lidhja e tij me “Djajtë e kuq” do të vazhdojë, pasi Ferguson pritet të marrë postin e drejtorit teknik dhe të ambasadorit të futbollit në klub.
Menjëherë pas bërjes publike të vendimit të Ferguson nisën të qarkullojnë emrat e parë të pasardhësit të tij. Bastet favorizojnë Jose Mourinho-n, i përfolur shumë për një rikthim tek Chelsea. Në fakt, lëvizja e portugezit për të lënë Realin, vërtet është rikthim, por jo tek blutë, rikthim në Premier Ligë.
Emri i dytë që qarkullon është ai i trajnerit të Everton, David Moyes, skuadra e të cilit ka zhvilluar një sezon fantastik, dhe deri pak javë më parë ishte në luftë për një vend në Ligën e Kampioneve. Emri i favoritit të tretë vjen nga Bundesliga. Bëhet fjalë për Jurgen Klopp i cili mahniti Europën duke e cuar Dortmundin e tij në finalen e Ligës së Kampioneve, të cilën do të diskutojë me Bajernin e Mynihut më 25 maj.
Kushdo që të përzgjidhet si pasardhësi i Ferguson, e sigurtë është se do të gjejë skuadrën në gjendjen më të mirë të mundshme. Manchester United sapo u kurorëzua për të 20-ën herë kampion në Angli dhe financat e klubit janë në gjendje të mirë.
“Ishte tejet e rëndësishme për mua që të lija skuadrën në gjendjen më të mirë të mundshme dhe mendoj se ja arrita qëllimit. Cilësia dhe balanca e moshës në ekip favorizojnë qendrimin e skuadrës në nivelet më të larta dhe sigurojnë një të ardhme afatgjatë të ndritur për klubin”, deklaroi Ferguson.
Ferguson është trajneri më i suksesshëm në historinë e futbollit britanik. Nga gjithë sezonet e tij në krye të Manchester United do të mbahet mend ai i vitit 1999 kur Manchesteri i tij, me fitoren në minutat e fundit në finalen e Ligës së Kampioneve ndaj Bajernit të Mynihut, bëri tripletë.
Top Channel