Real Madrid e Alexander Arnold kujtojnë Diogo Jotën, homazh për portugezin në Anfield
Bayern Munich po planifikon një festë madhështore në rrugët e kryeqytetit bavarez, të shtunën më 11 maj, për të festuar titullin kampion të Bundesliga-s, edhe pse finalja e “Wembley”-t, për Champions League, kundër rivalëve të betuar të Borussia Dortmund, do të luhet dy javë më vonë.
Bayern e siguroi titullin kampion në ligën gjermane më 6 prill, kur fituan kampionatin 6 javë nga fundi i tij, një rekord në Gjermani, ndaj dhe po planifikojnë festën pas ndeshjes së fundit në “Allianz Arena” për këtë sezon, kundër Augsburg, ku do të ngrejnë edhe trofeun.
Kapiteni Philipp Lahm do të marrë trofeun nga Reinhard Rauball, president i Federatës Gjermane të Futbollit (DFL) në “Allianz Arena”, ndërsa ekipi do të udhëtojë me një autokolonë drejt qendrës së qytetit, ku do të zhvillohet edhe festa, pikërisht në sheshin ikonë të Mynihut, “Marienplatz”.
Ekipi do të shfaqë trofeun nga një ballkon, siç është bërë zakon, ndërsa trajneri Jupp Heynckes i ka dhënë tashmë pushim të besuarve të tij ditën e diel. Tifozëve u është kërkuar nga klubi të vijnë në stadium kundër Augsburg-ut, me kostumin tradicional bavarez.
Pavarësisht festimeve, ekipi ka edhe dy finale për të luajtur, atë të Champions-it më 25 maj, e më pas atë të DFB Pokal (Kupës së Gjermanisë) në stadiumin “Olympic” të Berlinit, më 1 qershor.
Gjigantët bavarezë kanë konfirmuar gjithashtu se dita e parë e Pep Guardiola-s, si trajner i Bayern-it, do të jetë më 26 qershor, përpara se të niset me skuadrën e tij të re drejt Trentino-s, në Itali, për një kamp stërvitor nga 4-12 korrik, pas tërheqjes së Heynckes-it nga futbolli.
Top Channel