Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se zgjedhjet e 23 Qershorit do të jenë
një provë kritike për gadishmërine e Shqipërisë për statusin e
kandidatit të BE-se. Gjate seancës së Komitetit amerikan të Helsinkit
për Shqipërinë, zevendesndihmës sekretari Amerikan i Shtetit, Philip Reeker vleresoi perparimin dhe shprehu mbeshtetjen.
“Ecuria e këtyre zgjedhjeve do të jetë një tregues i rëndësishëm i pjekurisë demokratike të Shqipërisë dhe do të dërgojë një sinjal të qartë nëse Shqipëria është gati për statusin e kandidatit të BE-së. Po ashtu do të ketë ndikim në marrëdhëniet tona dypalëshe me Shqipërinë…SHBA dhe partnerët tanë evropianë, kanë theksuar se demokracia nuk ka të bëjë vetëm me faktin se kush i fitoi një palë zgjedhje dhe kush i humbi. Edhe procesi demokratik ka rëndësi”, tha Reeker.
Zëvendësndihmëssekretari Reeker tha se KQZ-ja nuk duhet të bëhet objekt ndërhyrjeje i asnjë individi, partie politike, apo institucioni, përfshirë Parlamentin.
“Anëtarët e KQZ-së që janë përzgjedhur dhe caktuar mbi bazën e një konsensusi ndërpartiak dhe në përputhje me Kodin Elektoral, duhet të jenë apolitikë. Me të marrë detyrën, anëtarët e KQZ-së janë të angazhuar dhe të detyruar që t’i zbatojnë përgjegjësitë e tyre në mënyrë të paanshme për të realizuar zgjedhje të lira, të drejta dhe zgjedhje demokratike në Shqipëri”, tha Reeker.
Reeker i inkurajoi udhëheqësit e partive politike që të arrijnë një kompromis dhe shprehu besimin se ata mund ta bejne kete.
Duke shpjeguar dinamikën e ndryshimit të përbërjes së KQZ-së pasi Lëvizjes Socialiste për Integrim u largua nga koalicioni qeveritar, Besa Shahini, analiste e Iniciativës Evropiane për Stabilitet tha se situata e krijuar paraqet dy sfida për organizimin e zgjedhjeve. Ajo e shpjegoi këtë përfundim me faktin që Kodi Zgjedhor nuk e parashikon shkarkimin e një anëtari të Komisionit për arsye balance politike.
Por ambasadori i Shqipërisë në Uashington Gilbert Galanxhi tha se është e padrejtë ndaj shumicës parlamentare që të jetë pakicë në Komisionin e Zgjedhjeve.Ai shtoi se gjithsesi parlamenti kishte vepruar për të hequr anëtarin e LSI-së jo për të respektuar balancën por sepse caktimi i tij ishte bërë në thyerje të ligjit. Kreu i Komisionit të Helsinkit, senatori Benjamin Cardin vlerësoi përparimin e shpejtë të Shqipërisë, në vitet pas rënies së komunizmit, por shtoi se në vitet e fundit ky ritëm ka ndryshuar dhe në disa raste disa shanse për përparim kanë humbur.
PS: Gati për të gjetur zgjidhje
Ka reaguar Partia Socialiste përmes deputetes Valentina Leskaj.
“Sot pas 8 vitesh në pushtet Sali Berisha nuk është as i aftë dhe as i gatshëm për të zhvilluar zgjedhje të ndershme dhe të lira sipas standardet demokratike, të denja për një vend anëtar i NATO-s. Ky fakt, që në Shqipëri e di tanimë i madh e i vogël, është kthyer në një shqetësim serioz edhe për partnerët tanë më të rëndësishëm strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian.Edhe në përgjigje të shqetësimit të partnerëve tanë në BE dhe SHBA, Partia Socialiste thekson vullnetin dhe gatishmërinë për të gjetur një zgjidhje e cila do të garantonte integritetin dhe besueshmërinë e zgjedhjeve të 23 qershorit”, tha Leskaj.
Top Channel