Jose Mourinho nuk i ka pritur mirë fjalët e Pepes, i cili kërkonte “më shumë respekt për Iker Casillas”, portierin të cilin tekniku i Real Madrid e ka “gozhduar” në stol. Në konferencën për shtyp para ndeshjes që “merengues” do të luajnë ndaj Malaga, “Special One” theksoi se problemi i Pepes është se “vendin në formacion ia ka zënë Raphael Varane, një djalosh 19-vjeçar”.
“Është shumë e lehtë të analizosh çështjen e Pepes. Problemi i tij është Varane. Nuk është e vështirë të kuptosh se ai është i mërzitur për faktin që rri në stol. Nuk është e lehtë për një burrë 31-vjeçar të kalohet nga një djalosh 19-vjeçar. Jeta sportive e Pepes ka ndryshuar”, shpjegoi portugezi.
Duke folur për Iker Casillas, Mourinho tha: “Nuk kam asnjë problem me të. Mua më pëlqen më shumë Diego Lopez. Sa kohë që unë do të jem trajneri i Realit, gjithmonë do të luajë Diego Lopez.”
Ai që pritet të rikthehet në drejtimin e Chelsea, kritikoi edhe Iniestën, i cili kishte mbrojtur Casillasin, me të cilin luan në kombëtaren spanjolle: “Iniesta mund të thotë ç’të dojë, por unë mendoj se duhet të shqetësohet për skuadrën e tij dhe të shqetësohet për ato gjysmëfinale që pamë ndaj Bayern Munchen. Ai duhet të analizojë pse Barcelona nuk është e njëjta pa Messin.”
Top Channel