Ministri i Shëndetësisë, Halim Kosova ka akuzuar paraardhësin e tij, Vangjel Tavo se ka abuzuar me tenderat e kryer për blerjen e barnave mjekësore për Qendrës Spitalore Nënë Tereza në Tiranë.
I pyetur nga mediat ministri Kosova tha se të dhënat e para të auditit të brendshëm të kryer në Ministrinë e Shëndetësisë kanë nxjerrë në pah blerjen e barnave 5 herë më të shtrenjta se lista referuese e ministrisë.
Ministri Kosova tha se për këtë arsye janë anuluar disa tendera. Kjo do të thotë që janë prishur kontratat e lidhura me firma farmaceutike në periudhën kur Ministër i Shëndetësisë ishte zoti Tavo.
“2.4 mld lekë të vjetra është kthyer komplet sepse ka patur shkelje dhe devijime nga rruga që normalisht duhet të ecte. Cdo tender që ka patur devijime të mëdha nga lista referuese që ka Ministria e Shëndetësisë kuptohet që do të kthehet. Do të pres të gjitha lidhjet e paligjshme që nuk lejojnë që buxheti i shtetit të shkojë tek pacienti. Buxheti është i tillë që të gjitha nevojat e pacientëve të plotësohen. Cdo njeri që ka abuzuar, do të përgjigjet aty ku i takon”, deklaroi ministri Kosova.
Top Channel