Milani do të gjobisë Mario Balotellin për kartonin e verdhë që mori pas golit të fitores që shënoi në ndeshjen ndaj Torinos. Adriano Galliani deklaroi se numri 45 i kuqezinjve do të ndëshkohet për heqjen e fanellës që i kushtoi edhe ndëshkimin nga gjyqtari.
“Nuk duhet të hiqte fanellën dhe do i mbajmë pak nga paga e tij e majme. Gjithsesi, krahasimi mes golave të shënuar dhe fanellave të hequra është 9-1 për golat”, tha për mediat sportive italiane administratori i deleguar i Milanit.
“Balotelli e do shumë Milanin sepse më ka treguar që në vitin 1999, kur ishte 9 vjeç, ka dalë në rrugët e Breshias me flamurin kuqezi për të festuar titullin kampion me Zaccheronin. Është shumë bukur kur një profesionist është edhe tifoz me skuadrën ku luan”, shtoi Galliani, i cili theksoi se ndeshja ndaj Pescara do të jetë shumë e rëndësishme.
“Nëse fitojmë, do të blindojmë vendin e tretë. Na duhen edhe gjashtë pikë dhe gjysmën e tyre mund ta marrim që të mërkurën. E nisëm keq kampionatin dhe tani jemi të lumtur edhe me vendin e tretë”, tha Galliani.
Top Channel