“Testi” Dortmund-Bajern s’ka fitues

04/05/2013 00:00

Ka përfunduar në barazim 1 me 1 ndeshja “test” për finalen e Ligës së Kampioneve mes Borusias së Dortmundit dhe Bajernit të Mynihut.

Që të dy golat u shënuan në pjesën e parë të takimit. Grosskreutz kaloi i pari vendasit në avantazh që në minutën e 11 të takimit. Ky avantazh do të zgjaste për 12 minuta, deri kur Gomez të barazpeshonte gjithcka.

Në pjesën e dytë skuadrat përpiqen të gjejnë golin e avantazhit. Mundësinë më të mirë e kishte Dormtundi, por Levandovski gaboi nga pika e bardhë e 11 metërshit në minutën e 15 të kësaj pjese. Pesë minuta më vonë, gjithcka bëhet më e vështirë për Bajernin që mbetet me 10 lojtarë në fushë pas largimit me 2 kartonë të verdhë të Rafinjës në minutën e 65 të takimit.

Megjithatë, rezultati nuk ndryshoi deri në fund dhe të dyja skuadrat largohen me nga 1 pikë të (pa)vlefshme, por me njohjen e njëra-tjetrës përpara takimit për finalen e Ligës së Kampioneve më 25 maj.

Top Channel