Superliga, Kukësi rimerr vendin e dytë

04/05/2013 00:00

Kukësi ka fituar 0-3 në transfertë ndaj Kastriotit të Krujës duke u rikthyer sërish në vendin e dytë të tabelës së klasifikimit, pozicion që garanton pjesëmarrjen në kupat e Europës.

Miqtë mbyllën pjesën e parë në avantazh falë një autogoli të Pengilit në minutën e 36 të takimit, ndërsa fitorja do të blindohej nga Mziu në minutën e 75 dhe Popovic tre minuta më vonë.

Pas kësaj fitoreje, kuksianët ringjiten në vendin e dytë me 49 pikë, një më shumë se Teuta që e pa veten në këtë pozicion për 24 orë, falë fitores së arritur ditën e premte 1-0 kundër Laçit.

Në ndeshjet e tjera, një gol i shënuar në pjesën e dytë i dha fitoren 1-0 Skënderbeut ndaj Luftëtarit, të rënë tashmë në kategorinë e parë. Në Vlorë, Flamurtari i bojkotuar nga tifozeria mposhti 3-1 Vllazninë, 2-1 Tirana fitoi ndaj Bylisit, po aq edhe Shkumbini ndaj Tomorrit të Beratit, ndërsa Besa dhe Apolonia ndanë nga një pikë pas barazimit 1-1.

Top Channel