Të paktën 17 persona janë arrestuar nga policia italiane në Kuneo, në kuadër të një operacioni anti-drogë, pas hetimesh që kishin zgjatur pothuajse një vit.
Në fokus të skuadrës së posaçme kanë qenë edhe dy shtetas shqiptarë, që sipas mediave italiane furnizonin xhiron me narkotikë.
Gjithësesi, sasia e drogës e sekuestruar në këtë operacion ka qenë modeste, pak më shumë se 1 kilogram kokainë, saktësojnë burimet.
Për një nga shqiptarët e kërkuar ekzistonte një urdhër-arrest i lëshuar më parë për sulm të armatosur ndaj një bashkëkombasi, me siguri për borxhe të lidhura me trafikun e drogës.
Në fund të muajit të kaluar, rojet financiare të Fierences arrestuan dy shtetas të tjerë shqiptarë, të cilët u kapën me një sasi droge prej 23 kilogramë kokainë.
Autoritetet italiane njoftuar se droga u kap në dy makina të mëdha, në pronësi të dy shtetasve shqiptarë me banim në Piaçenca dhe Firence.
Automjetet u ndaluan për një kontroll rutinë në autostradë dhe të dy drejtuesit e makinave ngjallën dyshime për shkak të nervozizmit dhe faktit që rezultonin të papunë prej vitesh, e megjithatë drejtonin automjete me vlerë prej disa dhjetëra-mijëra eurosh.
Gjatë kontrollit të imtësishëm të automjeteve u zbulua se, në të dyja ato ishte krijuar posaçërisht një ndarje e fshehtë, për të transportuar 11 dhe 12 kg drogë, me të cilat llogaritet se mund të nxirreshin mbi 100 mijë doza që do të sillnin një fitim prej 10 milionë euro.
Top Channel