Ibra, tek Juve e presin krahëhapur

04/05/2013 00:00

Në Torino e presin më krahëhapur rikthimin e mundshëm të Ibrahimovic. Sinjali i radhës është dërguar nga dy mesfushorët e Juventusit, Markizio dhe Pirlo.

I pari, pasi ka deklaruar se nuk do të largohet nga bardhezinjtë, është shprehur me superlativa për sulmuesin shtatlartë suedez.

“Ibrahimivic? Ka fituar kudo që ka shkuar. Është një kampion i madh dhe ne e mirëpresim nëse do të vijë tek Juventusi”, deklaroi nga Vinovo mesfushori bardhezi.

Edhe truri i skuadrës së Kontes, Andrea Pirlo ka vlerësuar Ibrën. Rikthimi i tij, tha ai për mediat italiane, do të ndihmojë Juventusin në Europë. Ndërsa lidhur me objektivat e skuadrës për këtë sezon, por edhe për të ardhmen e tij personale, Pirlo tha:

“Objektivi ynë ishte rikonfirmimi në Serinë A. Ndërsa në Europë ishte të shkonim sa më larg. U përballëm me Bajernin, një skuadër shumë e fortë që unë e dija se do të shkonte në finale dhe ja ku është sot”.

Pirlo foli edhe për të ardhmen e tij dhe se kur do të varë këpucët në gozhdë. “Shpresoj që vitin tjetër të korrim sukses me Juven në Ligën e Kampioneve, pse jo ta fitojmë atë, ndërsa personalisht, pas botërorit të Brazilit do të tërhiqem nga kombëtarja”, tha ai.

Top Channel