Alfredo Di Stefano, argjentinasi simboli i gjallë i Realit të Madridit, tregon se nuk ka harruar “të shënojë” as në moshën 86-vjeçare.
Ish-futbollisti i rekordeve me “Los Blancos”, i mbetur i ve prej 8 vitesh, ka vendosur të martohet dhe bashkëshortja e tij është 36 vjeç, 50 vite më e re se ai.
Legjenda e futbollit argjentinas do të shkojë në altar me kostarikanen, Gina Gonzales “sa më shpejt, aq më mirë”.
“Parashikojmë një martesë të shpejtë. Sa më shpejt, aq më mirë. Brenda dy javësh, maksimumi 1 muaji do të martohemi, qoftë në kishë apo tek organet civile”, deklaroi Di Stefano për mediat spanjolle.
Si u njohën? 36-vjeçarja punon për Realin e Madridit, ku Alfredo është president nderi. Ajo u njoh “me dashurinë e jetës së saj” kur po punonte për biografinë e tij. Në përfundim të biografisë të dy ishin aq të lidhur sa refuzuan të ndaheshin, ndërsa së fundmi vendosën që të kurorëzojnë dashurinë e tyre.
Martesa nuk është mirëpritur nga fëmijët e legjendës madrilene, por ky i fundit tregoi se ka mbetur i njëjtë…pak i interesojnë të tjerët.
“Cfarë mendoni se do të thonë fëmijët e mi? Sigurisht që janë kundër. Por kjo mua pak më intereson. Unë jam i dashuruar me Ginan sepse kam zemrën e një të riu”, deklaroi Di Stefano.
Sa për zemrën, në 2005-ën ish-futbollisti argjentinas pësoi një infarkt, ndërsa vuan edhe nga diabeti.
Top Channel