Jose Mourinho habiti gazetarët spanjollë kur në konferencën e shtypit para ndeshjes me Valladolid nxorri një letër ku kishte shkruar arritjet e tij krahasuar me trajnerët e tjerë të Realit në 20 vitet e fundit.
Pyetja ishte kjo: Nëse largoheni nga Reali, ju do të keni fituar një kampionat, një ose dy Kupa Mbreti dhe një Superkupë. Mendoni se keni pasur sukses? Dhe përgjigja e teknikut portugez ishte: “Kam fituar aq shumë në karrierë sa nuk vlerësohet objektivisht puna ime sepse nga mua pritet gjithmonë maksimumi. Tani do nxjerr një nga letrat e mia të famshme dhe do të them: Liga e rekordeve është e imja dhe do të fshihet vetëm kur ato rekorde të thyhen nga dikush tjetër.”
Më tej, shtoi: “Fituam një Kupë Mbreti që nuk fitohej prej 20 vitesh. Kjo do të thotë që nuk është trofe i lehtë. Kam arritur në gjysmëfinalet e Champions për tre sezone rresht. Nuk mburrem me këtë, por them që nuk është e lehtë të shkosh me rregullsi në këtë fazë. E di që nuk është e lehtë sepse Toshack, Di Stéfano, Antic, Arsenio, Beenhakker, Benito Floro, Capello, Heynckes, Hiddink, López Caro, García Remón, Camacho, Del Bosque, Luxemburgo, sërish Capello, Juande Ramos, Schuster dhe Pellegrini nuk kanë arritur gjysmëfinalet tre sezone radhazi. 18 trajnerë në 21 vite dhe vetëm 5 gjysmëfinale. Ndërsa “i keqi Mourinho” arriti 3 gjysmëfinale në 3 vite.”
Statistikat e Mourinho janë të vërteta përsa i përket gjysmëfinaleve, por Special One “harroi” të përmendte se Del Bosque ka fituar me Realin 2 Champions në vitet 2000 dhe 2002.
Top Channel