Ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko i ka bërë të premten paradite një kërkesë të veçantë Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi: të marrë nënshtetësinë e Kosovës. Një kërkesë e tillë ka marrë mbështetjen e kryeministrit të Kosovës, i cila tha se kjo mbetet vetëm çështje procedurale e institucioneve të Kosovës.

 “Ka shumë shqiptarë të Kosovës që e duan të jenë shtetas të Republikës së Shqipërisë, por mos harroni se ka edhe ca të tjerë në krahun tjetër, si puna ime, që këtë anë të kufirit e konsiderojnë atdheun e tyre, popullin e tyre”, tha Majko.

“Sa i përket shtetësisë është gjëja më e lehtë e mundshme dhe e mirëpres me zemër që kjo të ndodhë në të ardhme të afërt. Është aspekt procedural, kështu që e uroj Pandin për shtetësinë e Kosovës”, iu përgjigj kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Tani mos më pyesni se për kë do të votosh në zgjedhjet e ardhshme”, vijoi Majko duke bërë shaka me gazetarët.

Përveç kësaj në takimin ndërmjet Kryeministrit të Kosovës dhe deputetit të Partisë Socialiste të Shqipërisë është diskutuar edhe për marrëveshjen e fundit të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Europian.

Pas paralajmërimeve se në veri të Kosovës do të qëndrojë në ditët e ardhshme nënkryetari i Qeverisë së Serbisë, Vuçiç për t’i bindur serbët të pranojnë marrëveshjen, Kryeministri Thaçi tha se edhe Serbia ka një pjesë të përgjegjësisë për zbatimin e marrëveshjes dhe në këtë aspekt e ka parë edhe vizitën e tij. Kurse, Majko mbështeti edhe një herë marrëveshjen.
 
“Përgjegjësi për implementimin në pjesë të theksuar e ka edhe Serbia, prandaj këto angazhime janë në kuadër të lehtësimit dhe bindjes së serbëve në veri që kjo marrëveshje është zgjidhja e vetme dhe është zgjidhje për të ardhmen e tyre”, u përgjigj kryeministri Thaçi.

“Kam përshtypjen që pala serbe do të kuptojë se ajo që serbët kanë fituar nuk është se janë fitore të shtetit të Serbisë në Kosovë, por janë fitore normale të një minoriteti serb i cili duhet të filloi dalëngadalë, siç ka filluar një pjesë tjetër në jug, të jetojë normalisht si qytetarë të shtetit të Kosovës, shumë shpejt shpresoj edhe anëtar i Kombeve të Bashkuara”, deklaroi ish-kryeministri i Shqipërisë, Pandeli Majko.

Kryeministri Thaçi tha se marrëveshje do të zbatohet si e plotë dhe se nuk do të ketë zbatim të pjesshëm.

Top Channel