Reali i Madridit do të përfshihet në një garë të egër me Bayernin e Mynihut për kartonin e polakut Lewandowski, ndonëse ai ka një marrëveshje verbale me kampionët e Gjermanisë.
Të impresionuar nga niveli i treguar prej polakut në dy ndeshjet gjysmëfinale, sidomos nga katërgolëshi i tij në ndeshjen e parë të Dortmundit, madrilenët kanë vendosur që të përfshihen edhe ata në bisedime me klubin gjerman.
Sipas të përditshmes “AS”, Reali po përpiqet të joshë Borusian dhe 24-vjeçarin duke ofruar një shifër më të lartë, si për të, ashtu edhe për finalistët e Champions League.
Aktualisht, Bajerni ofron 25 milionë euro për kartonin e futbollistit, kontrata e të cilit me Dortmundin skadon në 2014-n, por Reali mund të shtyhet në nivelin e 30-35 milionë eurove.
Ndërkohë, për futbollistin një interesim paraprak po shfaq edhe Chelsea e Manchester United, që po studiojnë mundësinë e paraqitjes së një oferte. Nëse kjo do të ndodhë, Lewandowski mund të shndërrohet në protagonistin e një ankandi të vërtetë në merkaton verore.
Top Channel