Trajneri i Barcelonës, Tito Vilanova, ka dalë në mbrojtje të vendimit për aktivizimin e Lionel Messi-t në fundjavë, pasi argjentinasi u detyrua të ulej në stol gjatë sfidës me Bayern Munchen, në takimin e kthimit të gjysmëfinales së Champions-it.
Barcelona pësoi humbjen më të thellë në historinë e tyre europiane, 7-0 nga Bayern, dhe, pavarësisht se Vilanova pranon se dëmtimi i Messi-t ka luajtur pjesën e tij në shkatërrimin e katalanasve, ai mohoi faktin që varësia ndaj “pleshtit” ka qenë tepër e dukshme këtë sezon.
“Ai luajti në Bilbao të shtunën, sepse ndihej më mirë. Ai i dha një ndryshim skuadrës, por në fund të ndeshjes ndjeu një problem të çuditshëm”, tha Vilanova pas ndeshjes, në konferencën për shtyp.
“Ai u stërvit me skuadrën të martën e të mërkurën, por nuk ndihej mirë. Ai është një lojtar shpërthyes dhe ekzistonte rreziku që të këpuste ndonjë ligament, kështu që nuk mundi ta ndihmonte ekipin në këto kushte. Gjithë këto vite, kur kemi luajtur pa Leo-n, kemi fituar ndeshje me diferenca të vogla golash, por këtë vit në kampionat kemi fituar edhe sfida 5-0 apo 3-0, pa të në fushë. Mendoj se nëse Bayern do të kishte qenë pa Ribery apo Robben, nuk do të ishin në këtë nivel ku u shfaqën”.
Vilanova refuzoi gjithashtu zërat se nevojitet një pastrim në “Camp Nou” në mbyllje të sezonit, por pranoi se superioriteti fizik i Bayern-it ka luajtur një rol të rëndësishëm në të dy takimet.
“Të gjitha skuadrat përforcohen çdo sezon. E kam thënë edhe një ditë më parë, ne nuk kemi nevojë për ndryshime themelore, por vetëm të rikuperojmë lojtarët aktualë”, tha ai.
Top Channel