Somali, uria “masakron” 260 mijë vetë

02/05/2013 00:00

Kriza e urisë në Somalinë e viteve 2010-2012 mori gati 260 mijë jetë njerëzish, gjysma e të cilëve fëmijë nën moshën 5 vjeç.

Raporti i Agjencisë së OKB-së për Ushqimin, që jep këtë shifër, tregon gjithashtu se zija e bukës ishte pasojë e thatësirave të mëdha, por edhe ashpërsimit të konfliktit mes grupeve rivale që luftojnë për pushtet.

Kombet e Bashkuara tërhoqën vëmendjen fillimisht korrikun e 2011-ës për situatën e rënduar sidomos në rajonet e Bakulit Jugor dhe Shabelës së Poshtme, të kontrolluara nga militantët e organizatës islamike Al-Shabab, e lidhur me Al Kaedën.

Por grupi mohoi ekzistencën e një krize të tillë dhe i ndaloi agjencive perëndimore të ndihmës veprimtarinë në këto zona.

Më pas kriza e urisë u përhap edhe në zona të tjera, përfshirë Shabelën e Mesme, Afgoin dhe në kampe të ngritura për njerëzit e zhvendosur në kryeqytetin Mogadishu, i kontrolluar nga forcat qeveritare.

Një vlerësim prej 4.6 për qind i totalit e fëmijëve nën moshën 5 vjeç që përbëjnë 10 për qind të popullsisë kanë vdekur në zonat jugore dhe qendrore të Somalisë.

Në vitin 2011 Somalia u përfshi nga një thatësirë ekstreme që preku mbi 13 milionë persona në territorin e Bririt të Afrikës, duke detyruar dhjetëra mijëra banorë të largohen në zona të tjera në kërkim të ujit dhe ushqimit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA