Pas eliminimit të rëndë që në raundin e parë të plejofit, 4-0 përballë San Antonios, mbi skuadrën e Los Anxhelosit kanë rënë shumë hije dyshimi për të ardhmen.
Megjithatë, ylli i padiskutueshëm i kësaj skuadre, Kobe Bryant, beson se nuk ka nevojë për revolucion brenda skuadrës dhe se një ekip i suksesshëm në sezonin e arshshëm, duhet të bazohet mbi atë vetë, Gasol e Howard.
”Shpresoj që Dwight (Howard) të qëndrojë. Nuk ekziston një skuadër më e mirë se Los Anxhelosi për një qendër. Për të, është vendi i duhur ku mund të hedhë hapin e madh të karrierës. Edhe nga ana ekonomike i leverdis (Lakers mund t’i ofrojnë një kontratë 4-vjeçare prej 118 milionë dollarësh). Unë do ta ftoj në shtëpinë time, do të mundohem që ta qetësoj dhe ta bind”, deklaroi Kobe, aktualisht i dëmtuar, në shtypin amerikan.
Në intervistën e dhënë, Bryant përpiqet që të bindë gjithashtu drejtuesit të konfirmojnë spanjollin Pau Gasol. “Për mua, dyshimi as që duhet të ekzistojë. I kuptoj problemet si rrjedhojë e kufirit të vendosur për pagat, por Gasol është i domosdoshëm nëse duam të arrijmë objektivat tanë”, tha Kobe.
Megjithatë, sipas burimeve brenda Lakers, duket gjithmonë e më e pamundur që Gasol të qëndrojë.
Klubi duhet të reduktojë pagat në 100 milionë dollarë në sezon, ose ndryshe do të jetë i detyruar të paguajë 85 milionë dollarë taksë luksi shtesë, e paga e spanjollit është ajo e bën diferencën në këtë moment.
Top Channel