Raporti i Freedom House mbi lirinë e shtypit e rendit Kosovën në kategorinë e vendeve ku mediat janë “pjesërisht të lira”.

Raporti i publikuar të mërkurën në Uashington e vendos shtetin e ri të Ballkanit në vendin 102, katër vende më poshtë se një vit më parë.

Freedom House ka vlerësuar se gjatë vitit të kaluar në Kosovë janë regjistruar episode shqetësuese për median, si kërcënime ndaj gazetarëve dhe miratimi nga Parlamenti i amendamentit që rikthen ndjekjen penale për shpifjen.

Sipas organizatës, ky hap përbën një lëvizje në drejtim të gabuar dhe kufizon lirinë e shtypit dhe të shprehjes.

Në të njëjtën kategori me Kosovën, por me një renditje më të mirë, ka hyrë edhe Shqipëria, të cilës i është atribuar vendi i 96-të.

Raporti e rendit Shqipërinë me 49 pikë, dy pikë më lartë nga viti i kaluar, në një shkallë vlerësimi ku 0 është rezultati pozitiv dhe 100 ai negativ.

Drejtoresha e projektit për lirinë e shtypit në Freedom House, Karin Karlekar sqaroi se, një prej sfidave kryesore të medias në Shqipëri është mospërputhja e klauzolave ligjore me standardet ndërkombëtare.

Top Channel