Në mbledhjen e së enjtes, kabineti qeveritar i Kosovës shqyrtoi dhe miratoi dy projekt-rregullore, propozime të Ministrit të Kulturës dhe Sportit, Memli Krasniqi.

E para ka të bëjë me krijimin e mbështetjes së përhershme financiare për sportistët të cilët kanë fituar medalje në lojërat olimpike, në kampionatet botërore dhe ato europiane. Ndërsa e dyta ka të bëjë me rregullimin e ndarjeve të shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate të shkëlqyera në garat ndërkombëtare.

Ndërkaq, propozim-vendimi për furnizimin me produkte agro-ushqimore për nevojat e Rezervave Shtetërore të Mallrave është propozuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, ndërsa propozim-vendimi tjetër i miratuar, është propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi.

Me këtë vendim do të transferohen shërbimet e zjarrëfikëses dhe shpëtimit nga komunat në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent të Ministrisë së Punëve të Brendshme, përfshirë këtu edhe ndryshimet buxhetore dhe transferimin e aseteve.

Gjatë mbledhjes së rregullt të qeverisë së Kosovës, ministrat kosovarë gjithashtu  kanë trajtuar Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve për vitin 2014-2016, që është propozuar nga zëvendësministri i financave, Ramadan Avdiu, ndërsa në fund e kanë miratuar atë.

Në rend të ditës kanë qenë edhe tri pika të tjera, përkatësisht tri propozim-vendime të hartuara nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, por në mungesë të ministres Mimoza Kusari-Lila, e cila gjendet jashtë vendit, ato nuk janë trajtuar.

Top Channel