
Periudha e zbatimit të marrëveshjes së arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të respektohet në përpikmëri. Kështu ka deklaruar të enjten Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe sipas tij, implementuesit e saj janë qeveria e Kosovës, EULEX-i, NATO, OSBE-ja dhe qeveria e Beogradit.
“Sa i përket implementimit të marrëveshjes, do të respektohet në përpikmëri e gjithë periudha e implementimit të marrëveshjes prej akterëve implementues… E dimë se ka sfida, ka kundërshtime edhe në veri, por edhe në institucionet në Beograd, por me tepër duhet të fokusohemi se kush po punon në implementim, e në implementim punojnë institucionet e Kosovës, BE-ja, NATO, SHBA-ja OSBE-ja, por janë inkurajuese edhe deklaratat e zyrtarëve serb në Beograd se do ta zbatojnë marrëveshjen”, deklaroi Thaçi.
Këtë deklaratë, kryeministri i Kosovës e bëri pas takimit me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Ekmeleddin Ihsanoglu i cili e ka quajtur si historike marrëveshjen e 19 prill në Bruksel.
Sipas tij ky është një mesazh i tejkalimit të problemeve për arritjen e paqes. Ende nuk dihet se kur do të zhvillohet një takim tjetër ndërmjet dy kryeministrave në Bruksel në lidhje me planin për zbatimin e marrëveshjes.
Ditë më parë zëvëndëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi ka thënë se brenda 90 ditëve që nga fillimi i zbatimit të planit do të ketë veprime konkrete në pjesën veriore të Kosovës.
Top Channel