Rreth orës 3 e 20 të mëngjesit të së mërkurës është sulmuar shtëpia e kryeredaktorit të Radio Televizionit të Kosovës, Mufail Limani.

Sipas Policisë së Kosovës, dyshohet që një bombol gazi të jetë hedhur brenda banesës dhe nga shpërthimi janë shkaktuar dëme materiale në derën e shtëpisë.

Përveç dëmëve materiale nuk ka persona të lënduar. Siç njofton Policia e Kosovës, ekipet e specializuara të saj janë duke u marrë me hetimin e këtij rasti.

Ky sulm është dënuar nga menaxhmenti i RTK-së, Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës dhe Unioni i Gazetarëve të Kosovës, të cilët kanë kërkuar nga organet kompetente kapjen sa më shpejt të autorëve të këtij sulmi dhe nxjerrjen e tyre para drejtësisë.

Po ashtu, ky sulm është konsideruar si një përpjekje për ngulfatjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së mediave, si dhe si rrezik mbi lirinë e përgjithshme.

Edhe qeveria e Kosovës ka dënuar sulmin me bombol gazi në shtëpinë e Limanit. “Qeveria thekson se ky është një akt i mjerë, që është në kundërshtim të plotë me vlerat dhe parimet e lirisë së medias, të shoqërisë së lirë dhe shtetit demokratik të Kosovës”, thuhet ndër tjerash në reagimin e qeverisë.

Në këtë deklaratë kërkohet që organet kompetente të ndërmarrin të gjitha masat që autorët e këtij sulmi të gjenden para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar.

Top Channel