Kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiç duket se i kanë ardhur “në majë të hundës” kërkesat e vazhdueshme të serbëve të veriut të Kosovës.
Kështu, në një intervistë për televizionin serb “Pink”, Daçiç ka deklaruar se marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve me Prishtinën do të zbatohet, duan apo jo serbët e veriut.
“Qeveria e Serbisë nuk ka se çfarë të negociojë me askënd. Ne kemi vendosur ta pranojmë atë marrëveshje dhe ajo do të zbatohet. Mbetet vetëm të shihet se si të jenë sa më të vogla pasojat për popullin, që të gjithë bashkë të merremi vesh,“ ka thën Daçiç.
Sipas tij, serbët e veriut në të vërtetë nuk e duan referendumin pasi e dinë se cili do të jetë rezultati i tij: që marrëveshja të zbatohet.
“Askush nuk ka të drejtë që këtë vend ta çojë edhe më tej drejt rrënimit. Marrëveshja nuk është kundër popullit, me të ruhen institucionet dhe vendet e punës për serbët. Nuk e kemi pranuar pavarësinë dhe as nuk kemi mundësuar anëtarësimin e Kosovës në OKB e OSBE. Tani po ecim drejt vendimit final, meqë kjo është një zgjidhje e përkohshme”, ka thënë Daçiç.
Një ditë më parë, Daçiç, i shoqëruar nga numri dy i qeverisë serbe Aleksandar Vuçiç, vizitoi serbët e veriut të Kosovës, me të cilët nuk arriti një marrëveshje.
Sipas mediave serbe, serbët kërkuan nga Beogradi që më parë të vlerësohet kushtetueshmëria e marrëveshjes së Brukselit dhe pastaj të mbahet referendumi.
Top Channel