Berisha: Votë për projektin e ri

01/05/2013 23:20

Nga qyteti i Korçës, në një takim me gra dhe vajza, kryeministri Berisha kërkoi votën e shqiptarëve për një mandat të tretë, për atë që ai e quajti projekt i ri, dhe jo për ato që janë arritur në këto 8 vjet të qeverisjes së demokratëve.

“Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme, për të kapur më shpejt atë horizont, të cilin e meritojmë, të vendit të zhvilluar. Potencialet tona janë të jashtëzakonshme. Ky vend është me pasuri përrallore të gjithanshme. T’i kthejmë ato pasuri në vlera për qytetarët tanë. Të rrisim më tej rrogat, pensionet, punësimin. Të bëjmë qytetarët të marrin rroga më të mira. Alternativa e bllokimit, e mohimit nuk të çon askund, në pasiguri dhe paqartësi. Ndaj dhe këto zgjedhje janë me të vërtetë të një rëndësie të jashtëzakonshme. Dhe ne do t’i fitojmë këto zgjedhje, jo për këto që kemi bërë, por për ato që do bëjmë 4 vitet që vijnë”, tha Berisha.

Për kryeministrin, 4 vitet që vijnë janë shansi i madh i shqiptarëve për integrimin europian, punësimin, rritjen e mirëqenies, por edhe për më shumë të drejta për gratë e vajzat.

“Le të shohim veten tonë këtu. Pavarësisht problematikave të shumta që kemi, falë karakterit tonë të fortë, falë shpirtit tonë të sakrificës, në 21 vite prodhimi ynë i brendshëm (PBB) është rritur 11 herë. Asnjë vend tjetër në botë nuk e ka bërë këtë në 21 vite. Ky prodhim është shndërruar në dhjetra e qindra-mijëra banesa dhe ka bërë që shqiptarët sot, 340 mijë familje, të kenë më shumë se 1 banesë. Pra është krijuar një klasë e mesme dhe nuk ka fitore më të madhe për një komb, se sa të ndërtojë klasën e mesme”, përfundoi Berisha.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA