Afganistan, lufta kundër drogës

01/05/2013 21:45

Fushata e vitit 2013 për shkatërrimin e plantacioneve të opiumit në Afganistan ka rezultuar shumë e vështirë për forcat e sigurisë, që kanë humbur plot 131 oficerë nga ushtria dhe policia.

Fushata kundër rrënjëve të opiumit ka filluar prej 40 ditësh dhe gjatë saj, përveç vrasjes së 131 oficerëve, 86 të tjerë kanë mbetur të plagosur, një shifër kjo më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Provincat afgane ku aksioni i forcave të rendit ka përfunduar kanë qenë ato të Kandaharit, Helmandit, Heratit, Kunarit dhe Farahut. Ndërkohë që puna vazhdon në Nangarhar, Laghman dhe Badghis.

Objektivi vjetor ishte për shkatërrimin e rreth 15 mijë hektarë plantacione, por rezultati i deritanishëm është rreth 5-6 mijë hektarë për shkak të opozitës së treguar nga talebanët.

Inxhinieri Ibrahim Azhar e ka konsideruar kultivimin e opiumit, baza e heroinës, në Afganistan një “tragjedi kombëtare”, duke theksuar se u lejon trafikantëve të fitojnë rreth 70 miliardë dollarë, nga të cilët 5 për qind mbetet në ekonominë afgane.

Më herët, përmes një raporti, Organizata e Kombeve të Bashkuara kishte shprehur shqetësimin për rritjen e prodhimit të opiomit afgan, që më pas eksportohet në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara, që janë dhe tregjet më fitimprurëse të organizatave kriminale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA