
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar ka deklaruar se
marrëveshja mes Beogradit dhe Prishtinës nuk është kundër interesave të
serbëve në veri të Kosovës.
Në një intervistë për të përditshmen serbe “Blic”, Zhbogar ka thënë se u takon autoriteteve në Beograd dhe Prishtinë që t’u sqarojnë serbëve të veriut se marrëveshja është në interes të tyre.
“Shkalla e lartë e vetëqeverisjes lokale, në të cilën arsimi, shëndetësia dhe kujdesi social do të financohen në mënyrë transparente dhe duke respektuar ligjin, nuk shkon kundër interesave të serbëve në veri. Ajo shkon kundër interesave të atyre që janë pasuruar duke devijuar fondet, apo atyre të cilët kanë marrë paga duke qenë në listën e kompanive fiktive”, ka thënë Zhbogar.
Ai ka theksuar se, çfarëdo plani që serbëve u duket se u është imponuar dhe është kundër interesave të tyre është i destinuar të dështojë.
”I vlerësoj përpjekjet dhe ndjenjën e detyrimit të autoriteteve serbe që këtë dimension të marrëveshjes dhe zbatimin e saj t’ua shpjegojnë bashkëkombasëve të tyre. Edhe më i madh është detyrimi i autoriteteve të Kosovës që të njëjtën marrëveshje, me të njëjtat argumente, t’ua shpjegojnë serbë në veri. Vetëm nëpërmjet kësaj marrëveshjeje, dialogu i vërtetë do të vihet në jetë”, ka nënvizuar diplomati evropian.
Më tej ai ka folur edhe për të ardhmen evropiane të dy vendeve. ”Një fazë e madhe u kapërcye dhe kursi evropian i Serbisë dhe Kosovës nuk do të ketë nevojë për fillime të reja, por vetëm vazhdim i udhëtimit”, ka shtuar Zhbogar.
Top Channel