Nishani: Jo retorikës agresive

30/04/2013 22:45

Presidenti Nishani thyen heshtjen për zhvillimet e fundit politike, që kanë të bëjnë me ndryshimet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ,dhe apelon për një fushatë, që të mos bazohet tek emocionaliteti dhe retorika agresive.

Edhe pse nuk e përmend KQZ-në, kreu i shtetit kërkon nga palët, që të respektojnë mekanizmat që udhëheqin zgjedhjet. Në një takim me rektorë, pedagogë dhe studentë, Nishani deklaroi se fituesi i zgjedhjeve nuk është Zoti, por edhe humbësi i tyre nuk është djalli.

“Çdo fushatë elektorale, proceset zgjedhore kanë një dozë të caktuar emocionaliteti, por nuk duhet të dominohen nga emocionet, doza të tepruara të tyre. Retorikat agresive vetëm prodhojnë fanatikë dhe fanatizëm, të cilët nuk janë të nevojshëm për askënd, madje më pas mund të kthehen edhe në problem për gjithkënd. Zgjedhjet janë momenti i qytetarit, i cili ushtron parimin e tij themelor për të përcaktuar se si do të qeveriset. Ushtrimi i të drejtës së votës të mos udhëhiqet nga interesi i çastit dhe i ditës, por nga principet dhe jam i bindur se në momentin që ne, si shumicë e shoqërisë, do të arrijmë të kultivojmë këtë model të udhëheqjes nga principet, ne kemi arritur një pjekuri shumë të lartë të shoqërisë. Fituesi nuk është Zoti, ashtu sikurse dhe humbësi nuk është djalli. Mazhoranca ka përgjegjësitë kryesore dhe madhore të zbatimit të platformës qeverisëse. Është shumë e rëndësishme që, të gjithë së bashku, të përçojmë mesazhin të konsolidojmë sjelljen, respektin ndaj mekanizmave. Mekanizmave institucionalë dhe ligjorë, që menaxhojnë në tërësi jo vetëm jetën publike, por edhe momente të tilla, që kanë ngarkesë të madhe”, u shpreh presidenti Nishani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA