
Ish-ambasadori spanjoll në Shtetet e Bashkuara, Jorge Dezcallar i ka
bërë thirrje vendit të tij që të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës dhe t’i
afrohet njohjes së realitetit të ri.
Sipas KTV, Dezcallar është shprehur i kënaqur me arritjen e marrëveshjes Kosovë–Serbi, duke thënë se ky është një lajm i mirë për tërë Ballkanin.
“Është një marrëveshje që më në fund i detyron edhe shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë, si i yni, që të ndryshojnë qëndrim. Në fund të fundit, nuk është mirë të tregohemi më katolikë se Papa dhe pika e 14-të e marrëveshjes së re thotë se asnjë nga dy nënshkruesit nuk do të pengojë rrugën e njëri-tjetrit drejt BE-së”, ka deklaruar Dezcallar.
Diplomati u është përgjigjur gjithashtu shqetësimeve të Madridit për precedentin e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se: “Nuk duhet pasur frikë. Kosova nuk ka asnjë ngjashmëri me vendin tonë”.
Më herët gjatë muajit, kryeministri spanjoll Mariano Rajoy deklaroi se vendi i tij nuk ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht marrëveshjes së arritur me Serbinë.
“Ne kemi një pozicion për këtë çështje. E kemi prej disa vitesh dhe është një qëndrim i qeverisë që nuk ndryshon. Kjo do të thotë se ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, sepse Spanja nuk beson në shpalljet e njëanshme të pavarësisë”, tha Rajoy.
Kryeministri spanjoll la megjithatë të kuptohej se Madridi zyrtar do të jetë konstruktiv në rrugën europiane të Kosovës.
“Logjikisht, ne mund të përkrahim gjithçka që shkon në favor të mirëqenies së banorëve atje, por ne nuk kemi ndërmend ta njohim pavarësinë e Kosovës, edhe pse respektojmë opinione të tjera të ndryshme”, shtoi Rajoy.
Top Channel