Komandanti i KFOR-it, Walker Halbauer është shprehur se ëndërron që
brenda mandatit të tij, deri në shtator të këtij viti, barrikada në urën
kryesore mbi lumin Ibër do të hiqet në mënyrë paqësore.

Në një intervistë për gazetën “Tribuna”, Halbauer ka theksuar se ajo barrikadë është çështje politike dhe se nuk do të ketë ndërhyrje me forcë.

“Kjo është e vetmja bllokadë rruge në terren dhe nga perspektiva, kjo është një shenjë politike që do të thotë se është vendosur aty nga persona të caktuar në veri, për të demonstruar dhe portretizuar opinionin e tyre se situatën aktuale nuk e pëlqejnë”, ka thënë Halbauer.

Sipas tij, kjo bëhet për arsye politike dhe nuk ka ndikim në lirinë e lëvizjes dhe në garantimin e një ambienti të qetë dhe të sigurt.

Komandanti ka shtuar më tej se, pavarësisht marrëveshjes së arritur mes dy kryeministrave, KFOR-i do të vazhdojë të ruajë paanshmërinë dhe mbetet forca e sigurisë më e pranueshme në mbarë territorin e Kosovës.

Top Channel