Forcimi i euros përballë lekut

30/04/2013 20:00

Monedha europiane po dominon tregun vendas të këmbimit valutor, duke forcuar pozitat në mënyrë të ndjeshme kundrejt lekut.

Sipas kursit zyrtar të “Bankës së Shqipërisë”, 1 euro këmbëhet me 140.72 lekë, duke shënuar rritjen më të madhe që prej nëntorit të vitit 2011, kur u kuotua me mbi 141 lekë.

”Rritja e importeve të produkteve ushqimore rrit kërkesën për euro dhe reflektohet si dobësim i lekut ose forcim i euros. Sapo del prodhimi i brendshëm e shtrohet fluksi i eurove si rrjedhojë e fluksit të emigrantëve e turistëve, kursi normalizohet. Sivjet, ka pasur një sasi më e madhe që hynë si pasojë e një mase të madhe turistësh nga Kosova e vende të tjera”, deklaroi Ardian Civici, anëtar i këshillit mbikqyrës në Bankën e Shqipërisë.

Ndonëse konsiderohet rritje sezonale, për ekspertët e ekonomisë kjo situatë penalizon të gjithë ata që kanë marrë një kredi në euro dhe importuesit, ndërsa ata që përfitojnë janë eksportet.

”Ndikimi më direkt ka të bëjë me koston e shlyerjes së kredisë, ka shumë kredimarrës ose klientë që kanë marrë kredi me euro kur të ardhurat i kanë me lekë. Kjo kategori detyrohet çdo muaj të blejë euro. Forcimi favorizon eksportet shqiptare dhe penalizon importet, por duke pasur parasysh raportin import-eksport që ne kemi, jemi natyrisht të interesuar për të kundërtën”, shtoi Civici.
Sipas të dhënave zyrtare të “Bankës së Shqipërisë”, në trendet tradicionale të dy viteve të fundit, euro ka forcuar pozitat kundrejt lekut në periudhat tetor-maj për të vazhduar me një stabilitet dhe forcim të monedhes vendase gjatë muajve të verës.

Megjithatë, rritja më e madhe në katër vite është ajo e qershorit 2011, kur një euro u këmbye me 142.84 lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA