CERN rikrijon faqen e parë të internetit

30/04/2013 00:00

Një grup shkencëtarësh të Organizatës Europiane të Kërkimeve Bërthamore (CERN), njoftoi nisjen e një projekti për rindërtimin e faqes së parë të internetit me synim “për të nderuar idealet mbi të cilat u ndërtua” kjo shpikje, e konsideruar ndër më të mëdhatë e shekullit të kaluar.

Objektivi i shkencëtarëve të CERN është ruajtja e hardware dhe software-ve origjinale që sollën lindjen e faqes së parë të internetit. Kjo e fundit u ndërtua nga profesori britanik, Sir Tim Berners-Lee.

Në vitin 1989 Berners-Lee së bashku me inxhinierin belg të sistemeve kompjuterike, Robert Cailliau shkroi propozimin e parë për ndërtimin e faqes së internetit. Një vit më vonë kjo dyshe shkencëtarësh të CERN paraqiti në vija të trasha projektin e tyre.

Projekti i Sir Berners-Lee synonte afrimin e komunikimit mes shkencëtarëve të CERN që ishin nga e gjithë Europa. Ata pjesën më të madhe të kohës e kalonin nëpër laboratorët dhe auditorët e universiteteve ku jepnin mësim dhe për të shkëmbyer përvojën e tyre në punimet shkencore nevojitej ose të paraqiteshin fizikisht pranë CERN-it në Gjenevë të Zvicrës, ose të përdornin metoda tradicionale si letrat apo telefonat fiksë.

Metoda e parë harxhonte kohë, e dyta dekonspironte privatësinë e zbulimit shkencor. Për këtë nevojitej një rrugë më e shpejtë dhe më e sigurtë që shkencëtarët e CERN-it të kontaktonin me njëri-tjetrin.

Për këtë punoi Tim Berners-Lee. Në fund të vitit 1990 ai nisi të vendosë në funksion idenë e tij në një kompjuter NeXT në ambientet e CERN. Ky kompjuter është adresa e parë e një faqe interneti dhe në të edhe sot e kësaj dite lexohet me shkrim dore “Kjo makinë është server. MOS E FIKNI!” (This machine is a server. DO NOT POWER IT DOWN!).

Sot, 23 vite më vonë kur bota e internetit ka përparuar me shpejtësi, inxhinierët e CERN paralajmërojnë rikrijimin e së njëjtës faqe, për nostalgji si dhe për të kujtuar 20-vjetorin e vendimit të CERN për të hequr dorë nga të drejtat e autorit dhe t’ia dhuruar gjithë botës internetin.

Kjo është faqja e parë e internetit: http://info.cern.ch/hypertext/WWW/TheProject.html

Top Channel