Shefi i diplomacisë shqiptare, Aldo Bumçi, gjatë vizitës së tij në Shkup
ka deklaruar se zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, është në interes të
Maqedonisë dhe qytetarëve të saj.
Kryediplomati shqiptar, tha se Tirana gjatë 20 viteve të kaluara, edhe në moment të vështira, ka mbajtur qëndrim konstant, duke mbështetur sovranitetin, integritetin dhe stabilitetin e Maqedonisë.
“Ne na vjen mirë që shqiptarët në Maqedoni janë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe prosperitetit të Maqedonisë. Në këtë frymë ne besojmë që zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit, në germë dhe frymë i shërben interesit më të mirë të Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”, tha Bumçi.
Ministri Bumçi dhe kolegu i tij maqedonas Nikolla Popovski, thanë se dy vendet ndajnë perspektivë të përbashkët, siç është anëtarësimi në BE dhe në këtë frymë i zhvillojnë edhe të raportet bilaterale, që sipas tyre janë shumë të mira. Gjatë takimit, Bumçi dhe Popovski, kanë biseduar edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomikë mes dy vendeve.
“Biseduam për disa tema. E para, ishte në fushën e ekonomisë. Disktutuam si mund ta përmirësojmë infraëstrukturën dhe mundësinë për tu lidhur me korridorin e tetë. Lidhja përmes autostradës dhe hekurudhës, është prioritet për Maqedoninë dhe Shqipërinë, prandaj nevojitet energji shtesë për këtë projekt”, tha Popovski.
Ndërkohë, në prag të sezonit të ri turistik, shefi i diplomacisë shqiptare, ftoi qytetarët e Maqedonisë që në numër sa më të madh të vizitojnë bregdetin shqiptar.
Top Channel