Kryeministri Sali Berisha e kaloi ditën në qarkun e Beratit, duke kërkuar mbështetjen e grave, duke angazhuar të rinjtë të kërkojnë çdo votë dhe duke garantuar fermerët për rritjen e financimeve të qeverisë gjatë 4 viteve të ardhshme.

Në një takim me gratë dhe vajzat në Berat, kryeministri Berisha, duke gjykuar të drejtë ankesën e një vajze për nepotizëm në administratë, kryeministri kërkoi nga drejtuesit lokalë transparencë në emërime dhe në vlerësimin sipas meritës, të atyre që konkurojnë për një vend pune.

Pavarësisht defekteve, kryeministri u bëri thirrje grave dhe vajzave të mos stepen, por të kërkojnë të drejtën e tyre për punësim dhe për karrierë. Sipas kryeministrit Berisha, me reformat e pritshme në 4 vitet e ardhshme, Partia Demokratike synon të rrisë shanset për punësim. Dhe, e rëndësishme, sipas tij, është që reformat e deritanishme kanë stabilizuar ekonominë, duke e mbrojtur atë nga recesioni.

“Mendoni për një moment, nëse Shqipëria do të ishte në recesion, sa dhjetëra, mijëra vende pune do të ishin shkatërruar. Pse? Sepse recesioni do të thotë minus vende pune, do të thotë mbyllje fabrikash, mbyllje sipërmarrjesh, mbyllje të vendeve të punës. Po ju them një gjë, njerëzit kanë shumë të drejtë kur ankohen për mungesën e punës, kanë shumë të drejtë kur ankohen për rrogën e vogël, kanë shumë të drejtë kur ankohen për vështirësitë e përditshme ekonomike, por një gjë dua t’ju them; nëse ka patur një arritje të madhe personale për çdo qytetar shqiptar, ka qenë mbrojtja që reformat tona ekonomike i bënë ekonomisë shqiptare nga kriza”, tha Berisha.

Këtë çështje, si dhe shumë të tjera, që kishin në fokus ato që kryeministri i cilëson si arritjet më kryesore gjatë qeverisjes së tij, nga anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, ndërtimi i infrastrukturës së re, rritja e prodhimit dhe eksporteve, kryeministri Berisha i bisedoi edhe me të rinj beratas.

Ai i vizitoi ata në një qendër elektorale në qendrën e Beratit, duke u kërkuar të rinjve t’u shpjegojnë me qetësi qytetarëve, përse ata duhet t’i besojnë sërish votën e tyre Partisë Demokratike.

Sipas kryeministrit Berisha, është kjo forcë politike, bashkë me aleatët e saj, që ka provuar me fakte ndryshime epokale për jetën e çdo qytetari, ndryshime të cilat, sipas tij, nuk duhet të ndërpriten më 23 qershor.

Për kryeministrin Berisha, i cili ishte në mesditë në komunën Lumas në Berat, ku iu bashkua këngëtari i njohur, Kozma Dushi, dita e zgjedhjeve është vendimtare edhe për fermerët. Kryeministri Berisha ftoi fermerët të votojnë për Partinë Demokratike.

23 qershorin, kryeministri Berisha e lidh edhe me votëbesimin e shqiptarëve për çështjen e integrimit europian. Duke deklaruar se Edi Rama bëri një gabim historik me bllokimin e tre ligjeve të integrimit, kryeministri Berisha tha se kishte besim që me Partinë Demokratike do të bashkohet çdo shqiptar që, përveç pasaportës si vend anëtar i NATO-s, do që të ketë edhe pasaportën e qytetarit të Bashkimit Europian.

Top Channel