“Administrata të votojë ndryshimin”

30/04/2013 00:00

“Me shumë kënaqësi do t’u përgjigjesha të gjitha pyetjeve që mund të keni, për çfarëdo lloj çështjeje, në qoftë se ndonjëri do të vijë të më shkuli veshin, jam i gatshëm që të vijë ta bëjë…”

Me ftesën për “tërheqjen e veshit të tij”, që së fundmi është kthyer në një nga temat kryesore të mazhorancës, kryesocialisti Edi Rama deklaroi të hapur këndin e komunikimit me qytetarët, gjatë takimit më të fundit me banorët e njësisë minibashkiake numër 1, në Tiranë.

“Merren akoma me veshin e djalit 37 vjeç të Neritan Cekës, ngrejnë edhe komision hetimor për beben 37 vjeç të Neritanit, ndërkohë që edhe nuk ia shkula dreqin”, deklaroi Rama.

Duke i konsideruar jo premtime, por zotime që do të mbahen, kreu i PS kujtoi edhe njëherë programin e opozitës për qeverisjen në shërbim të qytetarit. Sipas Ramës, aktualisht vendi po qeveriset me filozofinë e sorollatjes së qytetarit.

“Këta, ‘e ka kush e ka’ e kanë kthyer në sistem shtetëror. Shkon te njëra derë, të thonë dil te dera tjetër, e më pas te tjetra, kalo te godina tjetër, e deri kur të kthehesh sërish te dera për ku u nise. Aty të thonë loja mbaroi, kështu që takohemi nesër”, tha Rama.

Rama i ftoi sërish demokratët që, duke mos e votuar Partinë Demokratike, ta shpëtojnë atë, duke e nxjerrë në opozitë.

“Të shkojnë në 23 qershor dhe të votojnë për rotacionin, për ndryshimin, për Rilindjen, edhe të gjithë ata që sot janë në punë shteti, të gjithë ata që janë mësues dhe mësuese dhe mbahen peng me bukën e gojës. Një gjë e pashembullt, në mes të Europës, në shekullin e 21-të. Duke u kthyer në robër të partisë në pushtet, duke u futur nëpër rreshta, si të ishin skllevër, dhe duke u nisur me lista për të marrë pjesë nëpër mitingje e nëpër koncerte anti-opozitare, e për të bërë propagandë kundër opozitës nëpër klasa me zor”, përfundoi Rama.

Top Channel